Renditja e FIFA-s: Kosova shënon ngritjen më të lartë në historinë e vet

  • S.A /
  • 16 shtator 2021 - 11:24
Renditja e FIFA-s: Kosova shënon ngritjen më të lartë në historinë e vet

Kosova e ka shënuar ngritjen më të lartë në historinë e ekipit kombëtar në ranglistën botërore të ekipeve kombëtare të FIFA-s, pas publikimit të renditjes më të re nga shtëpia e futbollit botëror të enjten.

Kosova e zë vendin e 109-të në renditjen e FIFA-s tani, që është renditja më e mirë ndonjëherë për verdhekaltrit. Kjo rritje e kombëtares dardane vjen kryesisht falë fitores kundër Gjeorgjisë dhe barazimit me Greqinë në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në shtator.

Nga ndeshjet e shtatorit, Kosova i fitoi 17 pikë të reja, të cilat e ngritin atë gjashtë pozita më lartë në renditjen e re të FIFA-s.

Në renditjen e kaluar, të publikuar në gusht, Kosova renditjen e 115-ta.

Kosova mund të shpresojë për ngritje edhe më të lartë kur të publikohet renditja e re muajin e ardhshëm, pasi do t’i zhvillojë dy ndeshje.

Më 9 tetor, verdhekaltrit përballen me Suedinë në udhëtim në ndeshjen e gjashtë kualifikuese për Botëror, para se ta presë Gjeorgjinë në Prishtinë më 12 tetor.  

Nëse skuadra e Bernard Challandes ia del të nxjerrë rezultate pozitive nga këto dy përballje, atëherë mundësitë që Kosova të futet në mesin e 100 kombëtareve më të mira në renditjen e FIFA-s do jenë reale.

Kosova do ta mbyllë fushatën e dytë kualifikuese në historinë e vet për Botëror me përballjen me Greqinë në Athinë në nëntor.

Por Kosova është e pashpresë dhe pa ndonjë gjasë për ta siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë në historinë e vet, pasi i ka vetëm katër pikë në vendin e tretë në Grupin B, nëntë më pak se liderja Spanja dhe pesë më pak se vendi i dytë, Suedia.

(Kosova Sot Online )