Nagelsmann lavdëron Sanen: Shpërthimi i tij ishte thjesht çështje kohe

  • E.K /
  • 19 September 2021 - 13:38
 Nagelsmann lavdëron Sanen: Shpërthimi i tij ishte thjesht çështje kohe

Në muajin gusht kishte përfunduar shpesh në qendër të kritikave, për shkak të performancës së dobët në fushë, megjithatë forma e Leroy Sane po vjen në ngritje të vazhdueshme dhe këtë e dëshmon edhe goli spektakolar nga goditja e dënimit ndaj Bochumit.

Bavarezët po vuanin jo pak për të gjetur hapësira në mbrojtjen e Bochumit, deri kur Sane vendosi të ekzekutojë shpejt e saktë një goditje dënimi, duke i hapur udhë një goleade, ndërsa trajneri Nagelsmann pranon se ka besuar gjithmonë në aftësitë e sulmuesit gjerman dhe se shpërthimi i tij ka qenë thjeshtë çështje kohe.

“I njoh mirë cilësitë e Sane dhe e kam ditur që vështirësitë ishin thjesht çështje kohe. Ndaj Bochunm bëri zgjedhjen e duhur, duke shënuar një gol mjaft të bukur, që i hapi udhë fitores, por në përgjithësi në ndeshjet e fundit ka bërë performanca mjaft të mira. Ka cilësi të jashtëzakonshme, të cilat do t’i nxjerrë në pah edhe më mirë në të ardhmen, pasi po punojmë shumë për këtë”, deklaroi Nagelsmann.

Leroy Sane shënoi golin e parë dhe “gatoi” të dytin ndaj Bochumit, ndërsa deri tani ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës dhe ka asistuar po kaq herë në kampionat. Sulmuesi po gjen gjithmonë e më shumë hapësira në formacion dhe po justifikon besimin e trajnerit Nagelsmann.

(Kosova Sot Online)