Pamje: Messi reagon i mllefosur pasi u zëvendësua, s’ia jep dorën trajnerit

  • G.G /
  • 20 September 2021 - 08:42
Pamje: Messi reagon i mllefosur pasi u zëvendësua, s’ia jep dorën trajnerit

Lionel Messi nuk e priti paska mirë vendimin e trajnerit Mauricio Pochettino për ta zëvendësuar atë në fitoren dramatike të Paris Saint-Germainit 2:1 kundër Lyonit të dielën në Ligue 1.

Messi, i cili po debutonte në shtëpi, u duk i mllefosur pse u zëvendësua në minutën e 75-të.

Rrugës duke dalë nga fusha, 34-vjeçari i tha diçka Pochettinos dhe refuzoi t’ia zgjaste dorën për ta përshëndetur.

Messi është ende në kërkim të golit të parë në fanellën e Parisit, që prej se iu bashkua atij në verë.

Megjithëse ishte lojtari më i mirë në fushë në pjesën e parë, Messi dështoi të kishte ndikim në ndryshimin e rezultatit.

Por ai ishte i pafat sepse golin ia mohoi shtylla pas një goditjeje të mrekullueshme nga gjuajtja e lirë në pjesën e parë.

Kjo ishte paraqitja e dytë si titullar e Messit për PSG-në, pas asaj kundër Brugge në Ligën e Kampionëve, në të cilën po ashtu e kishte goditur shtyllën.

Messi iu bashkua PSG-së në verë si lojtar i lirë, pasi marrëveshja e tij me Barcelonën kishte skaduar dhe klubi katalonas nuk ishte në gjendje financiare për ta mbajtur më 34-vjeçarin.

PSG-ja ia doli ta fitoi ndeshjen falë një goli në çastet e fundit të zëvendësuesit Mauro Icardi, i cili shënoi me kokë pas një harkimi nga Kylian Mbappe. 

(Kosova Sot Online)