Formacioni më i mirë i xhiros së pestë në BKT Superligën e Kosovës

  • S.A /
  • 20 September 2021 - 16:52
Formacioni më i mirë i xhiros së pestë në BKT Superligën e Kosovës

Xhiro e katërt në elitën e futbollit kosovar ka përfunduar me disa rezultate befasive.

Kjo xhiro filloi me ndeshjen Ballkani – Llapi, ku portokallinjtë triumfuan me rezultat të pastër 2-0.

Fitore ditën e shtunë arriti edhe Malisheva që e mposhti Feronikelin 1-0 falë golit nga Donart Vitija.

Ndërkohë ditën e diel fitore i kanë takuar tri skuadrave mysafire.

Drita triumfoi në Skenderaj ndaj Drenicës me rezultat të pastër 0-2, ndërsa Prishtina mori fitoren e parë pasi mposhti Dukagjinin e Klinës 1-2.

Befasia më e madhe ndodhi në Gjilan, ku skuadra e Ismet Munishit u mposht 2-3 nga Ulpiana.

Si gjithmonë, Telegrafi zgjedh më të mirët e javës në BKT Superligën e Kosovës.

Portieri:

Faton Maloku ka qenë spektakolar për Dritën në fitoren në një fushë të vështirë si ajo e Skenderajt. Maloku bëri disa pritje fantastike për ta mbajtur portën e paprekur ndaj Drenicës.

Mbrojtja:

Ardian Limani është duke kaluar formë shumë të lartë edhe këtë vit me Dritën. Kapiteni i bardhekaltërve edhe ndaj Drenicës ishte fantastik, ku përveç lojës së mirë në defensivë edhe asistoi në golin e dytë të shënuar nga Hamdi Namani.

Dren Kryeziu po kalon formën më të mirë në karrierë, edhe pse viti i parë në Superligë. Mbrojtësi qendror i Malishevës ishte i pakalueshëm edhe të shtunën ndaj Feronikelit.

Prishtina vuajti shumë për të marrë tri pikët në Klinë, por Gledi Mici ishte fantastik në atë ndeshje. Përderisa mbrojtësit tjerë nuk ishin në nivel, Mici ishte më i dalluari në prapavijë të kryeqytetasve.

Mesfusha:

Kastriot Rapuca ka qenë një motor i vërtet i Ulpianës. Pozita e tij natyrale është mbrojtës i djathtë, por Rapuca ka qenë luan mjaftë mirë edhe në mesfushë duke vrapuar pa fund ndaj Gjilanit dhe duke ndaluar shumë aksione të vendasve.

Edvin Kuc vazhdon me paraqitjet blirante te Ballkani edhe këtë javë. Shqiptari nga Mali i Zi dominoi mesfushën ndaj Llapit, derisa edhe bëri një asistim fantastik në golin e parë të shënuar nga Ermal Krasniqi.

Përpos që ka bërë një punë fantastike në mesfushë, Donart Vitija ka qenë vendimtar për fitoren e tretë të Malishevës këtë edicion. Mesfushori i talentuar shënoi golin e fitores ndaj Feronikelit.

Në krahun e majtë të mesfushës është Almir Ajzeraj, që përsëri shkëlqen me Dritën dhe përsëri në Skenderaj. Anësori i gjilanasve shënoi golin e parë dhe ishte mjaftë aktiv në krah duke i hapur shumë probleme mbrojtjes së vendasve.

Sulmi:

Leotrim Kryeziu u fut nga banka në ndeshjen Dukagjini – Prishitna, por pa të nuk do të mund të fitonin kryeqytetasit. Sulmuesi gjilanas bëri një asistim fantastik në golin e parë, derisa dha kontribut duke fituar penalltinë të cilën në gol e shndërroi Besnik Krasniqi.

Ulpiana shkaktoi befasinë më të madhe në xhiron e katërt duke mposhtur Gjilanin në udhëtim 2-3. Padyshim që më meritori për këtë fitore të lipjanasve ishte sulmuesi Marclei Santos. Braziliani shënoi dy gola nga penalltia dhe dha asistim në golin e tretë.

Ermal Krasniqi padyshim është sulmuesi anësorë më i miri në Superligën e Kosovës këtë edicion. Sulmuesi këmbëshpejtë edhe këtë javë ishte vendimtar për Ballkanin, duke shënuar dy gola në fitoren e suharekasve 2-0 ndaj Llapit.

Trajneri i javës:

Ulpiana ka zhvilluar disa ndeshje të mira këtë edicion, por pa arritur fitoren deri në xhiron e katërt. Megjithatë trajneri i tyre Edlir Tetova e kishte përgatitur për mrekulli ekipin dhe morën tri pikë nga udhëtimi i vështirë në Gjilan. Skuadra lipjanase luajti një ndeshje fantastike dhe me plotë meritë mori tri pikët në Gjilan dhe kjo falë edhe përgatitjes së mirë që kishte bërë trajneri Tetova ekipit.

(Kosova Sot Online )