Berisha nënshkruan me Prishtinën: Kam respekt për Superligën e Kosovës, Prishtina klubi më i madh

  • S.A /
  • 22 September 2021 - 15:53
Berisha nënshkruan me Prishtinën: Kam respekt për Superligën e Kosovës, Prishtina klubi më i madh

Besart Berisha ka thënë se qëllimi kryesor pse vendosi ta vazhdojë karrierën në Superligën e Kosovës ka qenë kryekëput për ta ndihmuar Prishtinën dhe lojtarët e rinj me përvojën e tij, pasi nënshkroi zyrtarisht marrëveshje me kampionen e Kosovës të mërkurën.

Prishtina e prezantoi Berishën në atë që po vlerësohej si transferimi më i madh në historinë e futbollit kosovar të mërkurën në një konferencë për media. Klubi nuk i ka bërë të ditura hollësitë e marrëveshjes.

Duke folur për arsyet pse vendosi të kthehej në vendlindje për ta vazhduar karrierën në moshën 36-vjeçare, Berisha tha se synon ta shkruajë historinë e futbollit në vend me klubin bardhekaltër.

“Klubi Prishtina ka traditë, është klubi i madh. Për mua ka qenë gjithmonë Prishtina dhe kështu do të mbetet”, tha Berisha.

I pyetur nëse është joshur nga ndonjë pagë e majme, Berisha këmbënguli: “Qëllimi im nuk ka qenë financiar, ka qenë më ardhur në Prishtinë sepse këtu jam lindur dhe këtu e kam nisur karrierën. Kam pasur dëshirë të vij në një klub që e dua dhe që dëshiroj ta ndihmoj. Qëllimi ka qenë të vij t’i ndihmoj Prishtinës dhe lojtarëve të rinj me përvojën që e kam fituar jashtë.

“Dëshira ime është ta fitoj ndonjë titull me klubin dhe për të krijuar historinë me klubin, jo vetëm për të shënuar gola individual, kjo është shumë e rëndësishme për mua. Plisat janë njëra prej arsyeve pse kam ardhur sepse i dua shumë. Pa ta nuk mund të luajmë. Mezi pres t’i shoh në stadium. Ata janë lojtari i 12-të i jonë. Shpresoj se do t’i gëzoj.”

Berisha u largua nga Australia pas një dekade si golashënuesi më i mirë në historinë e A-League, me 142 gola.

Përveç katër titujve të kampionit në ligën elitare australiane, Berisha i fitoi dy tituj kampioni në Premiership dhe FFA Cup më 2015.  

Ai e lartësoi nivelin e futbollit në Superligën e Kosovës.

“Nuk mendoj se do të jetë lehtë dhe se do të jap shumë gola. Liga e Kosovës është forcuar dhe ka ekipe të forta, kam respekt për të. Unë dua të luaj siç kam luajtur gjithmonë, ta ndihmoj klubin dhe jo të mendoj se jam më i mirë se të tjerët”, nënvizoi ai.

(Kosova Sot Online  )