Sergi Roberto, kundër Koemanit: Vendi i katërt? Ne jemi Barça, duhet të fitojmë titullin

  • S.A /
  • 24 shtator 2021 - 12:04
Sergi Roberto, kundër Koemanit: Vendi i katërt? Ne jemi Barça, duhet të fitojmë titullin

Ronald Koeman më shumë jashtë sesa brenda Barcelonës. Trajneri holandez ka humbur të gjitha kreditet me barazimin e fundit ndaj Cadizit, rezultat që i vë vulën një serie me rezultate të dobëta.

58-vjeçari, i ndëshkuar me karton të kuq në fundin e takimit, u sulmua indirekt nga Sergi Roberto, një veteran i Barcelonës, i cili u aktivizua në pjesën e dytë përballë Cadizit.

I pyetur nëse Barça, siç tha Koeman, ka si synim një vend në Ligën e Kampionëve këtë sezon, pra të renditet mes katër skuadrave më të mira, Sergi Roberto u përgjigj shkurt: “Këtu duhet të fitosh LaLigan. Nuk është e mjaftueshme për mua që të përfundoj në një ndër katër vendet e para. Ne jemi Barcelona dhe nuk mund të ketë justifikime. Ne duhet të bëjmë më të mirën dhe kemi një ekip të aftë për të fituar LaLigan”, – janë fjalët e mesfushorit, që hedhin poshtë pretendimet e holandezit se nuk ka në dispozicion një ekip për të synuar trofenë e kampionit në Spanjë.

(Kosova Sot Online )