Uzuni bën gjithçka vetë te Ferencvaros, shënojnë edhe Selahi e Bajrami

  • A.P /
  • 27 September 2021 - 14:13
Uzuni bën gjithçka vetë te Ferencvaros, shënojnë edhe Selahi e Bajrami

Myrto Uzuni po bëhet gjithmonë e më shumë protagonist për skuadrën hungareze të Ferencvaros, teksa vetëm pak ditë pas 6 golave të shënuar në një ndeshje Kupe, këtë herë ka ndihmuar të tijtë të marrin tre pikët në kampionat.

Në përballjen ndaj Ujpestit, të cilën Ferencvaros e fitoi me shifrat 3-1, sulmuesi beratas fitoi një penallti në minutën e 5-të, të cilën e ekzekutoi saktë sulmuesi Mmaee, ndërsa në fundin e pjesës së parë, Uzuni asistoi për Nguen në rastin e golit të dytë.

Në 10 minutat e fundit sulmuesi kuqezi u shfaq sërish protagonsit, pasi shënoi në minutën e 81-të, por pa që t’i anulohej goli nga VAR-i, ndërsa në të 87-ën dërgoi sërish topin në rrjetë, duke vulosur fitoren 3-1 të të tijve.

Një tjetër kuqezi që ka bërë mirë këtë fundjavë, është edhe mesfushori Lindon Selahi, që po rilind në kampionatin kroat me Rijekën, ku është aktivizuar rregullisht dhe gjeti edhe golin e parë, pikërisht në përballjen ndaj Goricës së Albi Dokës.

Reklamë

Mesfushori 22-vjeçar gjeti golin menjëherë sapo nisi pjesa e dytë, pasi goditi mirë brenda zonës dhe riktheu përkohësisht baraspeshën në shifrat 2-2, ndërsa më pas la fushën e lojës në minutën e 80’, me Rijekën që fitoi ndeshjen 4-3.

Vijon të bëjë liderin te Empoli në Serinë A edhe fantazisti Nedim Bajrami, që ndihmoi jo pak toskanët të marrin fitoren 4-2 ndaj Bolognës. Mesfushori kuqezi ekzekutoi saktë një penallti në minutën e 54-t dhe çoi rezultatin përkohësisht në 3-1 për Empolin, ndërsa në minutën e 80’ ia la vendin një tjetër futbollisti shqiptar si Kristjan Asllani, i cili po gjen shpesh hapësira në skuadrën toskane.

Në prag të eliminatoreve të Kupës së Botës, ku Shqipëria do të përballet fillimisht me Hungarinë në transfertë dhe më pas me Poloninë në shtëpi, trajneri Edi Reja vijon të marrë sinjale të mira nga futbollistët, që po luajnë rregullisht dhe po tregojnë formë mjaft të mirë.

(Kosova Sot Online)