Ronaldo iu dërgon mesazh tifozëve të Manchester Unitedit, pas fitores kundër Villarrealit

  • S.A /
  • 30 September 2021 - 14:26
Ronaldo iu dërgon mesazh tifozëve të Manchester Unitedit, pas fitores kundër Villarrealit

Cristiano Ronaldo i ka falënderuar tifozët e Manchester Unitedit që i ndihmuar ekipit gjatë fitores dramatike 2:1 kundër Villarrealit në Ligën e Kampionëve të mërkurën, duke shtuar se është i gatshëm ta shkruajë historinë me klubin përsëri.

Unitedi fitoi me përmbysje të rezultatit falë golave nga Alex Telles dhe Ronaldo, pasi Villarreali kishte kaluar në epërsi në fillim të pjesës së dytë në Old Trafford. 

Djajtë e kuq ishin nën presion të madh për të fituar, pasi e kishin humbur ndeshjen e parë në grup kundër Young Boys.

Një dështim tjetër të mërkurën do të nënkuptonte se kalimi i fazës grupore për Unitedin do të vihej në dyshim serioz.

Por pas rikthimit dramatik, Ronaldo beson se Unitedi do ta kalojë Grupin F dhe i falënderoi tifozët për rolin e tyre në këtë triumf.

“Tani çdo gjë është e mundur, çdo gjë është e hapur dhe ne besojmë se do të kalojmë tutje”, tha Ronaldo për BT Sport.

“Kjo është arsyeja pse u ktheva këtu, më mungoi shumë ky klub. Bëra historinë me këtë klub dhe dua ta bëj përsëri”, shtoi ai.

Ai nënvizoi: “Dua t’i falënderoj tifozët, jo vetëm për mua, por për përkrahjen e ekipit, gjë që do të jetë shumë e rëndësishme këtë sezon në veçanti”.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer i kishte humbur tri prej katër ndeshjeve të fundit në të gjitha garat para takimit të së mërkurës. 

(Kosova Sot Online )