Muriqi nuk pritet të startojë për Lazion as sonte në Ligën e Evropës

  • S.A /
  • 30 September 2021 - 12:22
Muriqi nuk pritet të startojë për Lazion as sonte në Ligën e Evropës

Vedat Muriqi nuk e ka bërë ende asnjë paraqitje si titullar për Lazion këtë sezon dhe nuk pritet ta bëjë as sonte kur klubi nga kryeqyteti italian të përballet me Lokomotiv Moscow në Ligën e Evropës.

Lazio e pret klubin rus sonte në Stadiumin Olimpik në Romë për ndeshjen e dytë në grup në garën dytësore evropiane. Skuadra e Maurizio Sarrit vjen nga një fitore e rëndësishme kundër rivalit të qytetit, Romës, në Serie A në fundjavë, por është në telashe në Ligën e Evropës tashmë, pasi e humbi ndeshjen e parë në grup kundër Galatasaray.

Si zakonisht, Sarri pritet të luajë me Ciro Immobilen në qendër të sulmit.

Sarri e ka përdorur sulmuesin e Kosovës në çdo ndeshje deri tani në Serie A dhe Ligën e Evropës këtë sezon, por vetëm në minutat e fundit të çdo takimi, duke mos i dhënë mundësi të luajë si titullar asnjëherë.

Në përgjithësi, sulmuesi prizrenas ka luajtur vetëm 64 minuta futboll për Lazion këtë sezon, duke kontribuuar me një asist. Jeta nuk ka qenë edhe aq e lehtë për Muriqin në kryeqytetin italian, pasi që prej se iu bashkua Lazios nga Fenerbahce verën e vitit 2020, ai i ka shënuar vetëm dy gola në 40 paraqitje, shumicën e të cilave i bëri si zëvendësues. 

(Kosova Sot Online )