Incidentet në ndeshjen Marseille-Galatasaray, pesë tifozë arrestohen nga policia

  • G.G /
  • 01 tetor 2021 - 18:36
Incidentet në ndeshjen Marseille-Galatasaray, pesë tifozë arrestohen nga policia

Pesë tifozë, tre prej të cilëve turq dhe dy të tjerë francezë, kanë përfunduar në prangat e policisë, pas incidenteve që sollën ndërprerjen për disa minuta të ndeshjes Marseille-Galatasaray në stadiumin “Velodrome”.

Lajmin e bëri të ditur policia e qytetit të Marseille, që ndër të tjera tha se ndaj të ndaluarve rëndon akuza e mbajtjes dhe përdorimit të lëndëve piroteknike, si dhe prishjes së mbarëvajtjes së një aktiviteti sportiv.

Në minutën e 39’ të sfidës Marseille-Galatasaray, tifozët e të dy palëve filluan të qëllonin njëri-tjetrin me flakadanë dhe sende të ndryshme, çka bëri që arbitri të ndërpresë ndeshjen përreth 10 minuta, deri në qetësimin e situatës.

Plot 550 agjentë policie u angazhuan për të vendosur rregull në shkallët e stadiumit dhe raportohet se tre prej tyre mbetën të plagosur, në tentativën për të larguar tifozëritë nga njëra-tjetra.

Pjesa e dytë u zhvillua më pas qetësisht dhe në fund tifozët e Galatasaray-t u bllokuan në shkallët e stadiumit, në pritje që vendasit të dilnin të parët dhe të shpërndaheshin, për të shmangur një tjetër përplasje në ambientet jashtë stadiumit.

Tifozët turq nuk u lejuan të fluturojnë nga Stambolli drejt Marseille-s, por Galatasaray ka mbështetës në shumë vende të Europës dhe një pjesë e madhe e tyre ishin në shkallët e “Velodrome” për të mbështetur skuadrën e tyre.

Vlen të theksohet se nuk dihet burimi i përplasjes mes dy tifozërive, pasi Marseille dhe Galatasaray ndesheshin për herë të parë me njëra-tjetrën dhe nuk kanë pasur ndonjë rivalitet sportiv të ndezur mes tyre.

(Kosova Sot Online)