Salah është më i mirë se Messi e se Ronaldo, thotë ish-ylli i Premierligës

  • S.A /
  • 05 October 2021 - 08:57
Salah është më i mirë se Messi e se Ronaldo, thotë ish-ylli i Premierligës

Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, është lojtari më i mirë në botë tani për tani, edhe më i mirë se dyshja e famshme Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, thotë ish-ylli i Premierligës Chris Sutton.

Goli mahnitës i Salahut në barazimin e Liverpoolit me Manchester City të dielën është përshkruar si njëri prej golave më të mirë në epokën e Premierligës nga ish-sulmuesi i Anglisë, Alan Shearer.

Sulmuesi egjiptian i ka shënuar nëntë gola në nëntë ndeshje këtë sezon.

“Tani për tani, ai është më i mirë se (Lionel) Messi dhe (Cristiano) Ronaldo”, tha Sutton.

Pasi e shënoi golin e 100-të në Premierligë në shtator, Salah e realizoi një ndër golat e tij më të mirë kundër skuadrës së Pep Guardiolës në fundjavë.

Ai po ashtu e përgatiti golin hapës të Sadio Manes në atë ndeshje, në të cilën Phil Foden dhe Kevin De Bruyne shënuan nga një herë për t’ia siguruar një barazim Cityt.

“Statistikat e tij në sezonet e fundit janë të jashtëzakonshme. Fakti se ai po e bën këtë në një ligë kaq të fortë tregon se sa i shkëlqyeshëm është ai”, shtoi ish-sulmuesi i Blackburn Rovers.

(Kosova Sot Online )