Alex Ferguson i reagon Solskjaerit: Ronaldon s’mund ta lësh rezervë, luaj me më të mirët

  • S.A /
  • 05 October 2021 - 10:27
Alex Ferguson i reagon Solskjaerit: Ronaldon s’mund ta lësh rezervë, luaj me më të mirët

Sir Alex Ferguson e ka kritikuar trajnerin e Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, që e uli në bankën e rezervistëve Cristiano Ronaldon në barazimin e djajve tq kuq me Evertonin ën fundjavë.

Ronaldo, i cili iu ribashkua Unitedin në verë nga Juventusi, u la rezervë për ndeshjen e së shtunës kundër Evertonit të Rafa Benitez në Premierligë.

Sulmuesi 36-vjeçar u kthye vrullshëm në Old Trafford duke i shënuar pesë gola në pesë ndeshjet para kësaj fundjave.

Solskjaer tha se synimi i tij ishte ta freskonte ekipin pas një fitoreje të vështirë kundër Villarrealit në Ligën e Kampionëve në mesjavë.

Fillimisht u duk se plani i tij do të korrte sukses, pasi Anthony Martial e kaloi Unitedin në epërsi si titullar i rrallë, por Andros Townsend ia siguroi një pikë Evertonit duke e barazuar rezultatin.

Ronaldo u fut në lojë në minutën e 57-të – tetë minuta para golit të barazimit të Evertonit – por dështoi ta ndryshonte rrjedhën e lojës dhe u largua i mllefosur drejt zhveshtores pas përfundimit të ndeshjes.

Ferguson – ish-trajneri i Unitedit – u xhirua në Old Trafford duke folur me Khabib Nurmagomedov pas ndeshjes: “Por mendoj se ata (Evertoni) e panë që Ronaldo nuk po luante”.

Khabib iu përgjigj: “Po, por ai u fut në lojë në pjesën e dytë”.

Legjenda e Manchester Unitedit shtoi: “E di, por ndeshjen duhet ta nisesh gjithmonë me lojtarët më të mirë.” 

(Kosova Sot Online )