“Pochettino i ka ditët e numëruara në PSG, kam dëgjuar fjalë të këqija për të”

  • S.A /
  • 06 October 2021 - 08:53
“Pochettino i ka ditët e numëruara në PSG, kam dëgjuar fjalë të këqija për të”

Mauricio Pochettino i ka ditët e numëruar në krye të ekipit të Paris Saint-Germainit, sipas Antonio Cassanos, ish-sulmuesit italian i cili i vë në dyshim taktikat e trajnerit argjentinas.

Pasi dështoi ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe titullin në Ligue 1 sezonin e kaluar, Pochettino është nën presion të madh për ta arritur lavdinë me PSG-në këtë sezon, veçanërisht me Lionel Messin në ekip. Por Cassano nuk beson se Pochettino do të zgjasë aq gjatë sa për ta mbërritur fundin e sezonit.

Ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit pretendon se Pochettino nuk punon me ekipin për taktikat e lojës dhe se ka vështirësi në menaxhimin e superyjeve.

“Pochettino do ta ketë një jetë të shkurtër në PSG. Kam dëgjuar gjëra të këqija për të. Ai është njeri shumë i mirë, por si trajner ai nuk ka punuar asnjë minutë për taktikat dhe ekipi e kërkon këtë”, tha Cassano.

“Ai iu kërkon lojtarëve këshilla sesi të luajnë. Nuk mund ta besoj”.

Cassano beson se Zinedine Zidane do ta zëvendësoj Pochettinon në PSG.

“Nga ajo që e kam kuptuar unë, nëse ai vazhdon kështu, ditët i ka të numëruara. Vini re Zizoun”, nënvizoi ai.