Franca dhe Belgjika luftojnë sonte për një vend në finalen e Ligës së Kombeve

  • S.A /
  • 07 October 2021 - 09:45
Franca dhe Belgjika luftojnë sonte për një vend në finalen e Ligës së Kombeve

Pas gjysmëfinales së parë, radhën për të zbritur në fushë do ta kenë Belgjika me Francën e dy nga katër kombëtaret më të forta në glob do të nxjerrin kështu edhe përfaqësuesen tjetër finaliste të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.

Blutë do të bëjnë çmos për të hedhur pas krahëve zhgënjimin që pësuan në Europianin e fundit, ndërsa “Djajtë e Kuq” këtë herë synojnë që të shkojnë deri në fund, për të koleksionuar në këtë mënyrë edhe trofeun e parë të rëndësishëm në historinë e përfaqësueses belge.

Për të regjistruar një rezultat të tillë “les diables rouges” duhet patjetër të sigurojnë diçka që nuk e arrijnë prej plot katër dekadash, sepse për hir të së vërtetës Belgjika nuk e mund Francën në sfidat kompetitive që nga viti i largët 1981.

Belgjika vazhdon të përfaqësojë forcën e parë në glob, në klasifikimin e FIFA-s, ndërsa Franca ka rrëshqitur në pozicionin e katërt në renditjen botërore, me 78 pikë më pak se sa skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez.

Për momentin në ndeshjet eliminatore të botërorit të ardhshëm dy vendet ndihen të sigurt për kualifikimin e tyre në Katar. Kampionët në fuqi të botës udhëheqin Grupin D me plot 7 pikë më shumë se Ukraina, megjithëse “gjelat” për hir të së vërtetës kanë luajtur një ndeshje më shumë se verdheblutë, ndërsa Belgjika në Grupin E kryeson me plot 9 pikë më tepër se Republika Çeke dhe Uellsi, që gjithsesi kanë zhvilluar respektivisht nga një dhe dy takime më pak, krahasuar me “djatë e kuq”.

Përsa i përket ndeshjes Didier Deschamps duhet të mendojë për lojtarin që do të vendosë në ndihmë të futbollistit të Manchester United Paul Pogba, për shkak të mungesës së madhe të mesfushorit N’Golo Kante.

Përpara blutë pritet të zbresin në fushë me treshen Griezmann – Mbappe – Benzema, ndërkaq në anën tjetër trajneri Roberto Martinez I ka të gjithë në dispozicion, kështuqë “djajtë e kuq” do të rreshtojnë në sulm trion Kevin De Bruyne – Eden Hazard – Romelu Lukaku.

“Big Rom” që përfaqëson golashënuesin më të mirë në historinë e “les diables rouges” me 67 gola ka realizuar në 4 nga 5 takimet e tij të fundit me fanellën e përfaqësueses, sidoqoftë për momentin 28-vjecari me origjinë kongoleze paraqitet pas një forme disi të dobët me Chelsea-n.

Në anën tjetër Franca nuk ka humbur asnjë nga 24 ndeshjet ku ka realizuar veterani Karim Benzema. Për më tepër në katër dekadat e fundit blutë kanë humbur vetëm 2 nga 12 sfidat mes tyre, e madje edhe në ato raste bëhet fjalë për dy humbje në ndeshje miqësore të luajtura brenda në kryeqytetin francez. Belgjika kryeson bilancin e përgjithshëm të 74 përballjeve ndërmjet dy vendeve, 30 me 25 me fitore, ndërsa 19 takime kanë përfunduar në barazim. 

(Kosova Sot Online )