Van Dijk: Messi lojtari më i fortë me të cilin jam përballur

  • S.A /
  • 07 tetor 2021 - 10:16
Van Dijk: Messi lojtari më i fortë me të cilin jam përballur

Që prej 2018-ës kur u transferua te Liverpool, Virgil Van Dijk është shndërruar në një nga mbrojtësit më të fortë në botë dhe këtë e dëshmojnë jo vetëm numrat, por edhe trofetë e fituar me të kuqtë.

Në një intervistë për mediat holandeze, mbrojtësi 30-vjeçar ka analizuar sulmuesit me të cilët është përballur gjatë karrierës dhe natyrisht që nuk ka befasuar aspak duke zgjedhur edhe më të rrezikshmin prej tyre.

“Lionel Messi është padyshim më i vështiri për t’u përballur. Mbrëmjen që humbëm 3:0 në ‘Camp Nou’, ka qenë vërtet shumë e vështirë ta ndalje, por për fat të mirë përmbysëm gjithçka në ndeshjen e kthimit”, tha Van Dijk.

“Ai dhe Ronaldo po tregojnë me shifra, se janë vërtetë të jashtëzakonshëm, megjithatë për mua Messi mbetet ende më i miri në botë. Një tjetër sulmues shumë i fortë e i shpejtë, është edhe Erling Haaland, që gjithsesi është ende i ri dhe ka shumë për të mësuar”, deklaroi mbrojtësi holandez.

Virgil Van Dijk u transferua te Liverpooli në verën e 2018-s për një shifër prej 75 milionë funtesh, që ishte edhe rekord për kohën, megjithatë me paraqitjen e tij në fushë ka justifikuar çdo cent të shpenzuar për kartonin e tij.

(Kosova Sot Online )