Nuk i ka kaluar inati, Suarez e thumbon Koemanin: “Njeri pa personalitet”

  • G.G /
  • 08 October 2021 - 15:09
Nuk i ka kaluar inati, Suarez e thumbon Koemanin: “Njeri pa personalitet”

Luis Suarez vazhdon t’ia lë fajin më të madh trajnerit, Ronald Koeman për largimin e papritur nga Barcelona.

Edhe pse ka kaluar më shumë se 1 vit nga largimi i sulmuesit, Suarez vijon ta vuajë mënyrën se si e larguan te Barça duke drejtuar gishtin kah trajneri holandez, Koeman.

Ditë më parë Koeman u thumbua edhe nga Miralem Pjanic, që u transferua në Turqi në fund të mërkatos së verës.

“Ishte shumë e vështirë për mua që të merrja vendimin për t’u larguar nga Barcelona, por situata ishte e tillë. Koeman më telefonoi dhe biseda zgjati vetëm 40 sekonda, kohë e mjaftueshme, sipas tij, për të larguar një legjendë, për të më treguar që nuk isha në planet e skuadrës. I mungonte personaliteti, pasi nuk e mori guximin të m’i thoshte gjërat në sy, pasi pas bisedës isha i paqartë nëse ishte ai apo klubi që nuk më dëshironte. Situata ishte shumë e vështirë, Messi kërkoi të largohej, ai qëndroi ndërsa unë mora vendimin për të kaluar te Atletico, ishte një kohë të cilën më parë nuk e kisha menduar”, deklaroi Suarez.

Suarez, javën e kaluar, ndëshkoi ish ekipin në fitoren 2-0 të Atleticos dhe festoi paksa atë gol në mënyrë të çuditshme, që thotë se nuk ishte kundër Koeman, por për fëmijët e tij.

Suarez ka dëshmuar te Atletico se Barcelona gaboi rëndë duke e larguar nga Camp Nou, ai deri më tani ka shënuar 26 gola në 48 paraqitje për ekipin e Diego Simeones. 

(Kosova Sot Online)