Haxhi Krasniqi, i gatshëm ta mbrojë titullin botëror

  • G.G /
  • 08 October 2021 - 15:18
Haxhi Krasniqi, i gatshëm ta mbrojë titullin botëror

Boksieri kosovar synon ta mposht gjermanin Dominic Boesel në përballjen e tyre të dytë brenda një viti dhe ta mbrojë titullin e kampionit botëror në versionin IBO

Haxhi Krasniqi është i gatshëm për meçin e së shtunës mbrëma.

Boksieri kosovar do të mundohet ta mbrojë titullin e kampionit të botës në peshat super të mesme, versioni IBO.

34 vjeçari ia ka mundësuar revanshin gjermanit Dominic Boesel, me të cilin do të përballet për herë të dytë brenda një viti.

“Jam përgatitur me disiplinën e plotë në të gjitha situatat. Jam i gatshëm. Objektiv është që të mbetem aktiv dhe ta ruaj peshën”, ka thënë boksieri junikas.

Krasniqi nuk ka luftuar që nga 10 tetori i vitit të kaluar.

Kurse, Boesel ka boksuar në muajin maj dhe fitoi ndaj çekut Ondrej Budera.

Krasniqi i ka 51 fitore e 6 humbje në boksin profesionist, kurse Boesel 30 fitore 2 humbje.

Meçi ndërmjet Krasniqit dhe Boeselit do të mbahet në Gjermani dhe pritet të fillojë rreth orës 23:00. 

(Kosova Sot Online)