Shpërthejnë flakët në stadiumin e Andorrës, në dyshim ndeshja me Anglinë

  • E.K /
  • 08 October 2021 - 23:18
 Shpërthejnë flakët në stadiumin e Andorrës, në dyshim ndeshja me Anglinë

Stadiumi kombëtar i Andorrës është përfshirë nga flakët mesditën e së enjtes, duke krijuar panik para ndeshjes për kualifikueset e Kupës së Botës me Anglinë. Dyshohet se shkak i zjarrit janë shkëndijat e disa saldimeve që po kryheshin për ndërtimin e një strukture për median, çka ka sjellë dhe ndezjen e flakëve, që më pas përfshinë një sektor të tribunës kryesore, një pjesë të fushës si dhe disa prej stolave të njërës prej pankinave.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikëseve është bërë e mundur dhe neutralizimi i flakëve, që kanë dëmtuar dhe terrenin artificial të fushës. Po ashtu sipas mediave angleze është djegur edhe ekrani i sistemit VAR dhe në të tilla rrethana është vënë në diskutim dhe zhvillimi i kësaj përballjeje.

Para se stadiumi të përfshihej nga flakët, skuadra e Anglisë kishte zhvilluar seancën e fundit stërvitore, e pas largimit të tyre ka ndodhur dhe ngjarja. Incidenti ka shqetësuar edhe banorët që jetojnë pranë stadiumit, pasi për minuta të tëra, tymi ka mbërthyer disa prej banesave aty pranë.
Ndeshja mes Andorrës dhe Anglisë është programuar për t’u luajtur të shtunën në orën 20:45.

(Kosova Sot Online)