Bale: Unë jam lojtari më i mirë i golfit në Real Madrid

  • S.A /
  • 12 October 2021 - 09:34
Bale: Unë jam lojtari më i mirë i golfit në Real Madrid

Gareth Bale pretendon se është lojtari numër një në golf në skuadrën e Real Madridit, duke zbuluar po ashtu se ai dhe portieri Thibaut Courtois e luajnë këtë sport në zhveshtoren e Madridit.

Bale ka gëzuar goxha sukses me Real Madridi qëkur iu bashkua atij më 2012 nga Tottenhami duke i fituar disa tituj në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve, por përkushtimi i tij ndaj futbollit është vënë në pikëpyetje për shkak të dashurisë së tij për një sport tjetër.

Sulmuesi uellsian shkaktoi polemika të mëdha pas një ndeshjeje me kombëtaren e vet më 2019, kur e mbajti në dorë një baner me mbishkrimin: ‘Uellsi. Golfi. Madridi.”

Dhe me deklaratat e fundit ai rrezikon të gozhdohet me kritika përsëri nga tifozët e Real Madridit.

32-vjeçari, i cili është duke u riaftësuar nga lëndimi, tha: “Jemi vetëm dy veta që luajmë golf në zhveshtoren e Real Madridit, prandaj pa kurrfarë dyshimi unë jam lojtari numër një i golfit në ekip. Thibaut Courtois është lojtari tjetër që luan, por ai nuk është më i mirë se unë”.

Bale shtoi për dallimin mes futbollit dhe golfit: “Sa herë më vjen mundësia dhe ndonjë turne i golfit zhvillohet afër meje, unë shkoj për ta shikuar. Atmosfera, tifozët, moti i mirë janë mahnitëse dhe, mbi të gjitha, këta djem luajnë shumë mirë.”

“Është e pabesueshme sa mirë luajnë ata nën presion. Futbolli është ndryshe sepse ke presion, por gjyqtari merret me atë punë. Golfi është sport më mental; më shumë ndiej presion këtu se sa para 80 mijë spektatorëve”, nënvizoi ai.

Bale i bëri vetëm tri paraqitje për Real Madridin këtë sezon, para se të lëndohej në stërvitje.

(Kosova Sot Online )