Kur do të luhet play-offi për kualifikim në Kupën e Botës?

  • G.G /
  • 12 October 2021 - 13:29
Kur do të luhet play-offi për kualifikim në Kupën e Botës?

Në kualifikimet për Kupën e Botës, nga Evropa do të jenë 13 ekipe pjesëmarrëse. 10 prej tyre do të jenë ekipet që përfundojnë në vendet e para në grupet përkatëse.

Tri vendet e fundit do të ndahen përmes play-off. Kjo do të përfshijë 10 ekipet e renditura në vendin e dytë në grup, plus dy fituesit e grupeve më të mirë të renditur nga UEFA Nations League 2020-21 të cilët nuk përfundojnë në dy vendet e para në grupin e tyre kualifikues.

Renditja për dy skuadrat për të hyrë në play-off (nëse kërkohet) përmes Ligës së Kombeve është: Franca, Belgjika, Italia, Spanja, Uellsi, Austria, Republika Çeke, Hungaria, Sllovenia, Mali i Zi, Shqipëria, Armenia, Gjibraltari, Ishujt Faroe.

Pastaj do të ketë tri grupe, secila me katër ekipe ku do të luhen dy gjysmëfinale dhe një finale për një vend në Kupën e Botës. 

Playoff-et do të mbahen në mars të vitit 2022. Shorti do të bëhet në bazë të pikëve të raundit kualifikues. 

(Kosova Sot Online)