Manchester City i prin garës për Haaland

  • S.A /
  • 13 October 2021 - 12:29
Manchester City i prin garës për Haaland

Përpjekjet e Manchester Cityt verën e kaluar për të blerë Harry Kane rezultuan të pasuksesshme.

Presidenti i Tottenhamit, Daniel Levy, rezistoi me të gjitha mënyrat, duke e detyruar sulmuesin e “Tre Luanëve” të pranonte qëndrimin në Londër. Tashmë Citizens kanë ndryshuar objektiv dhe, nga sa mësohet nga mediet angleze, Pep Guardiola do të hidhet në sulm për Erling Haaland të Borussias së Dortmundit.

Guardiola ka nevojë për një numër “9” pas largimit të Sergio Agueros. Spanjolli e ka të qartë se afrimi i mundshëm i gjigantit norvegjez do ta çonte ekipin e tij në një dimension tjetër.

Për këtë arsye, drejtuesit e City-t kanë ndërmend të nisin bisedimet me Mino Raiolan në muajin janar, për të realizuar blerjen e Haalandit, që verën e ardhshme mund të largohet për 75 milionë euro, shifër kjo e përcaktuar si klauzolë në kontratën me verdhezinjtë.

Nënshkrimi i norvegjezit do të nënkuptonte gjithashtu “vrasjen e dy zogjve me një gur”. Firma me sulmuesin e Dortmundit mund të shtyjë Raheem Sterling që të firmosë rinovimin e kontratës, e cila i skadon në verë të vitit 2023. 

Klubi dhe lojtari janë në negociata për të vijuar bashkëpunimin, por anglezi nuk është i kënaqur me minutat e tij në fushë. Mbërritja e një numri “9” do të kthente rëndësinë e tij në skemat e Guardiolës, pikërisht atë rëndësi që Sterling ka te “Tre Luanët” me Harry Kane si “pykë”.

Vlera e 26-vjeçarit është rritur në 90 milionë euro, sipas të dhënave të Transfermarkt. Nëse nuk do të rinovojë kontratën, Citizens mund ta shesin verën e ardhshme për të mos e lënë të largohet e parametër zero.

(Kosova Sot Online )