FIFA e paralajmëron Shqipërinë: Tolerancë zero kundër sjelljeve të tilla

  • S.A /
  • 13 October 2021 - 13:02
FIFA e paralajmëron Shqipërinë: Tolerancë zero kundër sjelljeve të tilla

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës në minutën e 78-të nga disa prej tifozëve të që ndodheshin në shkallët e stadiumit “Air Albania” solli dhë ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta.

Një veprim i tillë nuk do të kalojë pa sanksione nga FIFA, që mëngjesin e kësaj të mërkure përmes një njoftimi zyrtar ka lajmëruar se po analizon episodet si në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë, ashtu dhe incidentet në takimin mes Anglisë dhe Hungarisë, për të marrë më pas dhe vendimin për incidentet e ndodhura, bazuar në raportet e delegatëve të ndeshjeve.

“FIFA aktualisht po analizon raportet e ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Botëror. FIFA dënon me forcë incidentet në Angli kundër Hungarisë dhe në ndeshjen e Shqipërisë kundër Polonisë dhe dëshiron të deklarojë se qëndrimi i saj mbetet i vendosur në refuzimin e çdo forme dhune, si dhe çdo formë diskriminimi ose abuzimi. FIFA ka një qëndrim shumë të qartë të tolerancës zero kundër sjelljeve të tilla të neveritshme në futboll.”

Irritimi i disa prej tifozëve pas golit të Polonisë mund t’i kushtojë Federatës Shqiptare të Futbollit një gjobë të kripur, ndërsa, sipas rregullores, rrezikohet që skuadra kuqezi të luajë nga një deri në disa ndeshje me dyer të mbyllura.

Në takimin e zhvilluar në Angli, tifozët e Hungarisë u përleshën me policinë, diçka që nuk ka kaluar pa u shënuar në raportin e delegatit, çka mund t’i kushtojë jo pak federatës hungareze.

(Kosova Sot Online )