Majlinda shpallet “qytetare me merita të veçanta”, Qeveria do t’i ndajë rrogë mujore sa të një ministreje

  • S.A /
  • 13 October 2021 - 13:58
Majlinda shpallet “qytetare me merita të veçanta”, Qeveria do t’i ndajë rrogë mujore sa të një ministreje

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot propozim – vendimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shpalljen e Majlinda Kelmendit “qytetare me merita të veçanta”.

“Majlinda Kelmendi, me arritjet e saja në sportin e xhudos është shëndrruar në ikonën e suksesit kosovar, dhe është bërë shembull i shoqërisë tonë duke i thyer të gjitha tabut e vështirësive dhe sfidave në sport. Ajo i ka dëshmuar rinisë tonë, se kur punohet me përkushtim dhe qëndrueshmëri – suksesi është i pashmangshëm. Gjatë karrierës së saj, ajo ka prekur majat e suksesit të sportit të xhudos në arenën ndërkombëtare. Këto janë disa prej rezultateve të saja ndër vite”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Konsideruar kontributin që ajo e ka dhënë në promovimin e fushës së sportit në Kosovë, dhe në promovimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi merr statusin e qytetares me merita të veçanta, dhe do të shpërblehet në vlerë prej 1,321.32Euro në muaj – vlerë e cila përkon me rrogën bruto të një Ministri/e në Kosovë.

Gjatë karrierës së saj, Majlinda është bërë kampione olimpike në Rio 2016, tri herë kampione e botës (dy për seniore dhe një për juniore) dhe një herë e bronztë për seniore, në vitet 2009 (juniore) 2013 dhe 2014, kampione e Evropës në vitet 2014, 2016, 2017 dhe 2019, si dhe Lojërat Evropiane 2019.

(Kosova Sot Online )