Gjashtë ndeshje pa shënuar gol, Di Canio e gozhdon Lukakun

  • S.A /
  • 18 October 2021 - 11:15
Gjashtë ndeshje pa shënuar gol, Di Canio e gozhdon Lukakun

Romelu Lukaku ishte një nga transferimet më të bujshme të afatit kalimtar të verës që lamë pas, me Chelsean që pagoi plot 115 milionë euro për ta rikthyer sulmuesin belg në “Stamford Bridge”.

Debutimi i tij ishte perfekt, me një gol ndaj Arsenalit e më pas dy të tjerë ndaj Aston Villës e një ndaj Zenitit në Ligën e Kampionëve, por entuziazmi i londinezëve u venit shpejt.

Sulmuesi belg nuk shënon më prej 6 ndeshjesh, katër prej të cilave në kampionat, një në FA Cup e një në Champions, ndërsa tashmë kritikët kanë rihapur teorinë se Lukaku është më i ngadaltë se duhet për një kampionat ai anglez.

Së fundi ai që e ka kritikuar ashpër Lukakun, ka qenë Paolo Di Canio, ish sulmues italian, i cili ka një eksperiencë të konsiderueshme edhe në Premier League, ku ka luajtur me klube si West Ham, Sheffield Wed., etj.

“Chelsea fiton dhe mban vendin e parë, por Lukaku nuk shënon prej 6 javësh. Përfundimisht mund të themi se ai është një lojtar funksional, njësoj siç ishte Llorente te Juventusi i Contes, por kurrsesi një sulmues i madh. Edhe Llorente te Juventusi i Contes shënoi 16 gola, asnjë me penallti. Thjesht Lukaku është pak më i fortë, por jo një sulmues i madh”, deklaroi Di Canio.

(Kosova Sot Online  )