PSG-ja pa Neymarin sonte në Ligën e Kampionëve

  • S.A /
  • 19 October 2021 - 09:45
PSG-ja pa Neymarin sonte në Ligën e Kampionëve

Neymari do të mungojë për Paris Saint-Germainin sonte në ndeshjen kundër BR Leipzig në Ligën e Kampionëve, për shkak të një lëndimi që e kishte pësuar me Kombëtaren e Brazilit.

PSG-ja ishte pa Neymarin edhe në takimin e kaluar në Ligue 1 kundër Angers të premten, i cili u zhvillua në ditën e njëjtë me takimin e Brazilit kundër Uruguait në kualifikime për Kupën e Botës. Klubi shpresonte se superylli brazilian do të rikthehej në kohë për ndeshjen e sotme kundër klubit gjerman në garën evropiane, por lëndimi ia ka pamundësuar një gjë të tillë atij.

PSG-ja konfirmoi se Neymari është duke u shëruar nga lëndimi dhe nuk do të jetë në gjendje të luajë të martën.

“Neymar JR është duke vuajtur nga dhimbje muskulore që prej se u rikthye nga grumbulli me Kombëtaren dhe i duhet ta zgjasë kohën e tretmanit mjekësor për edhe disa ditë, para se të rikthehet në grup”, thuhet në njoftimin e PSG-së.

Përveç Neymarit, do të mungojë edhe  Leandro Paredes, po ashtu shkaku i një lëndimi.

(Kosova Sot Online )