Sheikët e Newcastle United e shkarkojnë trajnerin Steve Bruce

  • S.A /
  • 20 October 2021 - 12:11
Sheikët e Newcastle United e shkarkojnë trajnerin Steve Bruce

Pronarët e rinj të Newcastle United, sheikët arabë, e kanë shkarkuar trajnerin Steve Bruce.

Bruce pritej të zëvendësohej me një trajner të ri nga Fondi Publik për Investime i Arabisë Saudite, i cili e bleu Newcastle Unitedin më 7 tetor për 300 milionë funte.

Trajneri 60-vjeçar e udhëhoqi ekipin në humbjen 3:2 kundër Tottenhamit në ndeshjen e tij të 1000-të si trajner, të parën në epokën e pronarëve të rinj arabë.

Newcastle ra në vendin e parafundit në tabelën e Premierligës si pasojë e kësaj humbjeje dhe ecurisë prej tetë ndeshjeve pa fitore në sezonin e ri.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Newcastle shkroi se ka arritur pajtim me Bruce për ndërprerjen e bashkëpunimit.

“Newcastle konfirmon se Steve Bruce është larguar nga posti i trajnerit me pajtim dypalësh”, thuhet në njoftimin e klubit anglez.

Klubi dëshiron t’i shprehë mirënjohje Stevet për kontributin e dhënë dhe t’ia urojë gjithë të mirat për të ardhmen”.

Newcastle është tani në proces të emërimit të një trajneri të ri dhe mësohet se favorit për postin është Paulo Fonseca, ish-trajneri i Romës.

Graeme Jones do ta udhëheqë ekipin përkohësisht, duke nisur me takimin kundër Crystal Palace të shtunën. 

(Kosova Sot Online )