Koeman: Treguam se nuk jemi inferiorë ndaj Real Madridit

  • S.A /
  • 25 tetor 2021 - 10:05
Koeman: Treguam se nuk jemi inferiorë ndaj Real Madridit

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka thënë se skuadra e tij dëshmoi se nuk është inferiore ndaj Real Madridit, pavarësisht humbjes 2:1 në El Clasico të dielën.

David Alaba me një copë magjie në pjesën e parë dhe Lucas Vazquez me një gol në fund të pjesës së dytë ia siguruar triumfin e parë Carlo Ancelottit ndaj Barcelonës në Camp Nou si trajner.

Sergio Aguero e shënoi golin e tij të parë në fanellën e Barcelonës, i cili, megjithatë, i shërbeu vetëm sa për ngushëllim skuadrës së tij.

Koeman e lartësoi paraqitjen e ekipit të tij në pjesën e parë dhe këmbënguli se e meritoi barazimin.

“E kuptoj zemërimin e njerëzve, por sot ne dëshmuam se nuk jemi inferiorë ndaj Real Madridit”, tha Koeman pas ndeshjes.

 “Është e vërtetë se ne ishim të mirë në pjesën e parë dhe e kontrolluam lojën. Patëm mundësi të madhe për të kaluar në epërsi”.

Ai shtoi: “Ekipi bëri më të mirën për të barazuar. Ne jemi të zhgënjyer me rezultatin por jo me atë se çfarë bëmë në fushë si ekip”.

Koeman është nën trysni të madhe tash e disa javë dhe disfata ndaj rivalit të përbetuar vetëm sa i zemëroi më shumë tifozët katalonas.

Barcelona ngel në pozitën e nëntë në La Liga me vetëm 15 pikë, gjashtë më pak se lideri Real Sociedad.

(Kosova Sot Online )