Kosova do t’i ndjekë rrugët ligjore ndaj Serbisë, thotë ministri Çeku

  • A.P /
  • 25 October 2021 - 15:09
Kosova do t’i ndjekë rrugët ligjore ndaj Serbisë, thotë ministri Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës e ka ndërmend ta ndjekë rrugën ligjore ndaj Serbisë, nëse ajo vazhdon t’ua shkelë të drejtat themelore sportistëve kosovarë.

Boksierëve të Kosovës iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd, pasi autoritetet serbe nuk i lejuan ata të futeshin në territorin e Serbisë, duke i kthyer mbrapsht tri herë radhazi në fundjavë.

Tre boksierë kosovarë ishin ftuar zyrtarisht të garonin në Botërorin e Boksit, i cili nisi të dielën në kryeqytetin serb, nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit.

Duke folur të hënën në një konferencë për media, ministri Çeku tha: “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e dënojmë rëndë veprimin e Qeverisë së Serbisë për ta penguar Kosovën që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit. Ne konsiderojnë që ky veprim i organizatorit të këtij kampionati është me direktiva nga Qeveria e Serbisë”.

“Për MKRS-në është e patolerueshme mospjesëmarrja e ekipit në Botëror, e kjo krejt për shkak të qëndrimeve politike serbe kundër Kosovës. Kemi kërkuar reagim edhe nga BE-ja, që në të kaluarën është treguar shumë e kujdesshme për të reaguar, por për çudi nga BE-ja deri tash nuk kemi as edhe një reagim, për rast të pastër të shkeljes bazike të drejtave të boksierëve tanë. U bëjmë thirrje federatës ndërkombëtare të boksit dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të reaguar e marrë masa ndaj organizatorit. Nëse nuk merren masat e duhura, obligohemi të trajtojmë e ndjekim rrugët ligjore kundër penalizimit të sportistëve tanë”, ka thënë Çeku.

Pasi kalimi i kufirit me Serbinë në Merdare iu ishte mohuar të shtunën fillimisht, Federata e Boksit e Kosovës ishte këshilluar nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA) që të tentonte përsëri ta kalonte kufirin me Serbinë në, por këtë herë pa shfaqur ndonjë simbol shtetëror të Kosovës.

Ata s’u lejuan brenda Serbisë as pa simbole shtetërore të Kosovës.

AIBA i reagoi Serbisë të shtunën, duke e quajtur të papranueshëm kthimin mbrapsht të boksierëve kosovarë dhe duke i bërë thirrje Serbisë të mos e trajtojë ndryshe Kosovën nga vendet e tjera pjesëmarrëse në Botëror.

Por as reagimi i AIBA-s, anëtare e së cilës Kosova është që nga viti 2014, nuk i la përshtypje qeverisë serbe e cila e ktheu ekipit e boksit të Kosovës mbrapsht për herë të tretë të dielën, ditën kur nisi botërori i boksit në Beograd.

(Kosova Sot Online)