Ngurrimi i yllit të Bayernit për ta marrë vaksinën kundër Covidit i tmerron ekspertët dhe shkencëtarët gjermanë

  • E.K /
  • 27 October 2021 - 13:26
Ngurrimi i yllit të Bayernit për ta marrë vaksinën kundër Covidit i tmerron ekspertët dhe shkencëtarët gjermanë

Ai është njëri prej superyjeve të Gjermanisë, një futbollist shembull i cili i ka mbështetur shoqatat e bamirësisë për t’i ndihmuar njerëzit në vështirësi gjatë kohës së pandemisë.

Por ky imazh i Joshua Kimmich mund ta humbë shkëlqimin për shkak të komenteve të tij në ditët e fundit për sigurinë e vaksinës kundër Covid-19.

Në fundjavë, mesfushori i Bayern Munich i konfirmoi thashethemet se nuk e ka marrë ende vaksinën kundër koronavirusit për shkak se shqetësohet për mungesën e studimeve afatgjate.

“Unë jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë e mia, natyrisht”, tha Kimmich për Sky Sport të shtunën.

26-vjeçari shtoi: “Unë jam i përpiktë ndaj të gjitha masave higjienike dhe testohem çdo dy apo tri ditë. Të gjithë duhet të vendosin për veten”.

Prapëseprapë, Kimmich këmbëngul se nuk është mohues i Covid-19 dhe as kundër vaksinës.

“Ka mundësi të madhe se do ta marr vaksinën. Puna është se ende i kam disa shqetësime”, theksoi ai.

Shqetësimet e tij janë adresuar nga ekspertët dhe shkencëtarët e njohur të mjekësisë në Gjermani, të cilët e kanë kritikuar ashpër mesfushorin gjerman se nuk po bëhet shembull i mirë dhe se po e keqkupton mënyrën se si funksionon vaksina.

Ata thonë se hulumtimet dekadëshe tregojnë se ka shumë pak gjasa që një person të ketë probleme shëndetësore afatgjate pas marrjes se çfarëdo vaksine. Njëri prej shkencëtarëve gjerman beson se Kimmich ka qenë viktimë e keqinformimit online për Covidin.

Me infektimet me koronavirus në rritje dhe me marrjen e vaksinave në rënie, druhet se komentet e Kimmich mund t’i nxisin njerëzit të ngurrojnë për ta marrë vaksinën në Gjermani.

Cartsen Watzl, profesor i imunizimit në Universitetin e Dortmundit, ka thënë se besimi se vaksinat mund të kenë efekte anësore afatgjate është keqkuptim i zakonshëm.

“Të themi: Unë pranoj ta marr vaksinën dhe ndoshta pas një viti do të kemi efekte të mëdha anësore. Nuk funksionin kështu. Efektet anësore të vaksinës shfaqen menjëherë pas vaksinimit, brenda pas javësh”, shpjegoi Watzl.

Ai shtoi: “Miliona njerëz janë vaksinuar kundër Covid-19 dhe asnjë efekt anësor afatgjatë nuk është vërejtur”.

(Kosova Sot Online)