Largimi nga Barcelona, jeta në Paris dhe “Topi i Artë”, Messi rrëfehet për gjithçka

  • A.P /
  • 01 November 2021 - 15:22
Largimi nga Barcelona, jeta në Paris dhe “Topi i Artë”, Messi rrëfehet për gjithçka

Një nga lojtarët më të mirë që ka futbolli në dekadat e fundit, Lionel Messi, është rrëfyer për gjithçka.

Në një intervistë për “Sport” ai ka folur për largimin e tij nga Barcelona, jetën  e re në Paris dhe mundësinë për të fituar për herë të shtatë “Topin e Artë”.

Sipas sulmuesit argjentinas Joan Laporta nuk i ka kërkuar drejtpërdrejt të qëndronte në “Camp Nou”, edhe pse dëshira e 34-vjeçarit së bashku me familjen e tij ishte të qëndronin ne Spanjë, dhe që nga largimi i “Pleshtit” nga katalanasit nuk ka pasur më komunikim mes presidentit dhe lojtarit.

“Bëra gjithçka që munda për të qëndruar. Në asnjë moment nuk më kërkuan të luaja falas. Më kërkuan të ulja rrogën time 50 për qind dhe unë u pajtova me këtë pa asnjë problem. Dëshira ime dhe e familjes sime ishte të qëndroja në Barcelonë, por, në të njëjtën kohë, mendoj se ajo që tha presidenti ishte e papërshtatshme. Kjo më lëndoi sepse nuk mendoj se ai kishte nevojë ta thoshte këtë. Kjo krijon spekulime ose i bën njerëzit të mendojnë gjëra që unë mendoj se nuk i meritoj”, shprehej ish-sulmuesi i Barçës.

Messi gjithashtu foli për muajt e tij të parë me PSG dhe diskutoi motivimin e tij për t’u transferuar në “Parc de Princes” pasi u bë e qartë se ai nuk mund të qëndronte në Barcelonë.

“Kur vendosa të vij në PSG, një nga arsyet ishte skuadra e tyre e madhe dhe dëshira për të vazhduar rritjen si klub dhe për të fituar një Ligë të Kampionëve. Është ndryshe këtu në Paris, në krahasim me Spanjën, ku ishim mësuar të jetonim atje dhe kishim gjithçka që na nevojitej afër. Tani nuk mund t’i mbledh fëmijët nga shkolla dhe të shkoj në stërvitje, për shkak të kufizimeve kohore. Nuk është më aq afër”, nënvizoi Messi.

34-vjeçari u “ngacmua” nga gazetarët edhe për shokët e repartit të sulmit, duke i kërkuar të bëjë një krahasim të “MNM dhe MSN”.

“Unë nuk mendoj se mund të krahasoni “MNM me MSN”, pasi ka lojtarë të ndryshëm. Luis Suarez është një lloj tjetër i numrit 9 nga Kylian Mbappe, me karakteristika të ndryshme. Luis ishte më shumë një golashënues i vjetër, një qendërsulmues i pastër, ndërsa Kylian është më shumë për të marrë pjesë në lojë dhe për të qenë i fuqishëm për të të shkatërruar kur ai gjen hapësira.

Me Neymar, kam pasur një marrëdhënie të mirë me të për disa kohë dhe kemi mbajtur kontakte edhe kur nuk kemi luajtur më bashkë. Me Kylian, ishte e çuditshme në fillim, sepse ne nuk e dinim se kush do të vinte apo do të shkonte. Tani ne po njohim më shumë njëri-tjetrin, si brenda dhe jashtë fushës, dhe kalojmë në mënyrë spektakolare”, theksoi “Pleshti”.

Kur jemi vetëm pak javë para se të mbahet nata e ndarjes së çmimit të “Topit të Artë”, nuk kishte si të mungonte edhe një mendim nga argjentinasi, nëse e shikon veten e tij fitues për herën e shtatë.

“Sinqerisht, nuk e mendoj. Çmimi më i madh për mua ishte fitimi i një trofeu me vendin tim, pasi kisha luftuar kaq gjatë dhe shumë për të. Nëse fitoj Topin e Artë, atëherë do të jetë i jashtëzakonshëm sepse do të thotë se kam fituar një tjetër dhe të fitoj shtatë do të ishte çmenduri. Por, nëse nuk fitoj, atëherë nuk është problem”, përfundoi sulmuesi 34-vjeçar.


(Kosova Sot Online)