E çuditshme: Nga derbit e Superligës gjyqtari Maloku po delegohet veç në Ligën e Parë

  • S.A /
  • 02 November 2021 - 12:12
E çuditshme: Nga derbit e Superligës gjyqtari Maloku po delegohet veç në Ligën e Parë

Edhe pse në këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll po përdoret sistemi VAR, problemet dhe pakënaqësitë rreth referimit nuk janë eliminuar. Ankesat e kontestimet në referim po vazhdojnë dhe së fundmi bëri jehonë humbja jo meritore e Drenicës karshi Prishtinës nën ndikimin e referimit.

Kur është fjala te referimi, sivjet në futbollin kosovar po vërehet edhe një rast i çuditshëm. Njëri prej gjyqtarëve më të njohur nuk po delegohet në ndeshjet e Superligës. Bëhet fjalë për Tefik Malokun, i cili viteve të fundit përpos që ka referuar mjaft shumë në ndeshjet elitare, atij i besoheshin edhe shumë ndeshje derbi.

Në edicionin e kaluar Maloku i ka referuar edhe disa ndeshje mjaft të mëdha e të rëndësishme në rrjedhjen e kampionatit, si derbit Prishtina – Ballkani, Prishtina – Drita, Feronikeli – Drita apo edhe Drenica – Drita.

Por, sivjet ky gjyqtar nuk po shihet fare në Superligë dhe arsyet janë të panjohura. Maloku i kishte kryer me sukses testet fizike para kampionatit, po ashtu nuk e kishte ndonjë dënim. Përkundër kësaj ai nuk po delegohet fare në Superligë, por vetëm në Ligën e Parë, përkatësisht në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

Arsyet nuk i din as vet Maloku, i cili përkundër situatës jo të mirë personale në të cilën gjendet, nuk dëshiron të flas për media. “Po, është e vërtet që ende sivjet nuk kam referuar në Superligë. Nuk kam ndonjë dënim apo diçka, nuk e di, nuk dua të flas, nuk kemi të drejtë sipas rregullores të flasim për media. Kjo punë është e komisionit”, tha shkurt Maloku për Gazetën Express.

Viteve të fundit Maloku vlerësohej si njëri prej një grupi të vogël gjyqtarësh më të dalluar në futbollin kosovar. 

(Kosova Sot Online )