Newcastle e “targeton” Unai Emeryn si trajnerin e tyre të ardhshëm

  • A.P /
  • 02 November 2021 - 17:40
Newcastle e “targeton” Unai Emeryn si trajnerin e tyre të ardhshëm

Drejtuesit e rinj të Newcastle nxituan të shkarkojnë trajnerin Steve Bruce, megjithatë duket se janë penduar, pasi kërkimet për një emër të ri në krye të pankinës nuk po shkojnë aspak sipas parashikimeve.

Kështu emra si Conte, Foncesa, etj., kanë rënë një e nga një dhe Newcastle vijon të drejtohet nga trajneri i përkohshëm Graeme Jones, ndërsa së fundi ka filluar të lakohet spanjolli Unai Emery, i cili aktualisht drejton skuadrën e Villarealit.

Teknikut spanjoll do t’i pëlqente një rikthim në Premier League, aty ku ka drejtuar më herët edhe Arsenalin, megjithatë është ende nën kontratë me “nëndetësen e verdhë”, që nuk mund ta lërë pa një dëmshpërblim të majmë.

Tekniku 49-vjeçar njihet si një specialist i Europa Leagues, trofe të cilin e ka fituar tre herë me Sevillan dhe së fundi në edicionin që lamë pas me Villarealin, ndaj te Newcastle e shohin si njeriun e duhur për të ngritur klubin në nivele të larta.

Krahas Emery, drejtuesit e “Magpies” po punojnë edhe për një sërë përforcimesh në muajin janar, që do t’i jepte mundësi ekipit të provonte një vend në zonën europiane të renditjes që në këtë sezon, pasi kështu do të ishte më e lehtë për të joshur yjet verën e ardhshme.

(Kosova Sot Online)