“Interi është favorit për titull, por s’do ta ketë rrugën e lehtë”

  • A.P /
  • 04 November 2021 - 17:03
“Interi është favorit për titull, por s’do ta ketë rrugën e lehtë”

Stefano Pioli e ka pranuar se Milani i tij do të vuajë shumë të dielën mbrëma, kur të zbresë në San Siro për t’u përballur me kampionin, Interin.

Sipas tij, Interi është favorit edhe këtë edicion në Serie A, ani pse gjendet shtatë pikë prapa Milanit të tij.

Sido që të jetë, ai i ka dërguar mesazh të besuarve të Simone Inzaghit se si të dielën, ashtu edhe pjesën tjetër të sezonit, s’do ta kenë aspak të lehtë mbrojtjen e titullit.

“Dje ne donim të bënim fitoren e parë në Champions por ishte e vështirë. Më duhet ta pranoj se nuk jemi të përgatitur për të luajtur në një kompeticion të këtillë. Duhet të përgatitemi më mirë për sezonin e ardhshëm. Në Seria A po bëjmë shumë mirë. Jemi ende të pamposhtur dhe po zhvillojmë një lojë shumë të mirë. Të dielën është derbi i Milanos, shumë emocione gjithmonë përpara një ndeshje si kjo”, tha ai.

“Ne do të përgatitemi, do jetë një ndeshje shumë e vështirë ndaj Inter-it, ata janë shumë të fortë. Mendoj se Inter është favoriti kryesor për scudetton, por ne jemi Milani dhe nuk do t’ia bëjmë rrugën e lehtë. Të dielën do të tentojmë t’i mposhtim, do jetë e vështirë por ne nuk do të dorëzohemi, duhet të jemi të përgatitur fizikisht dhe moralisht”.

Aktualisht, Milani është në pozitën e dytë në Serie A, me 31 pikë, aq sa ka edhe Napoli në pozitën e parë – derisa Interi gjendet në pozitën e tretë me 24 pikë. 


(Kosova Sot Online)