Trajneri i përkohshëm i “Dardanëve”: Në Kosovë kam bërë ushtrinë

  • A.P /
  • 09 November 2021 - 19:37
Trajneri i përkohshëm i “Dardanëve”: Në Kosovë kam bërë ushtrinë

Trajneri i përkohshëm i Kosovës, Primoz Gliha doli në konferencën për shtyp në prag të miqësores ndaj Jordanisë, që do të jetë edhe e para e tij nën drejtimin e “dardanëve”, teksa shpjegoi se e njeh mjaft mirë ambientin.

Sipas tij, problemi i futbollistëve të Kosovës është respektimi i tepërt i kundërshtarit.

“E njoh mirë Kosovën sepse këtu kam bërë ushtrinë. Kam shumë miq këtu dhe e kam ndjekur rregullisht edhe përfaqësuesen e Kosovës. Për mendimin tim ekipi është shumë i mirë, por problemi është se e respekton kundërshtarin më shumë sesa duhet dhe nëse ndryshojmë këtë, atëherë me siguri që do të bëjmë më mirë”, deklaroi Gliha.

Jordania është testi i parë i Glihës në pankinën e Kosvës dhe njëkohësisht një mundësi për të parë skuadrën në prag të ndeshjes së fundit eliminatore të Botërorit, atë ndaj Greqisë, megjithatë slloveni nuk preferoi të bëjë ndarje në miqësore dhe zyrtare.

“Për mua nuk ka ndeshje miqësore, pasi çdo sfidë është e rëndësishme. E them këtë sepse çdo fitore e ngre moralin e ekipit. Ndeshja me Jordaninë duhet ta kërkojmë fitoren dhe të ngremë moralin e ekipit dhe kjo është mënyra e vetme për të ardhur te rezultatet e mira”, tha Gliha

Kosova po përballet me disa mungesa, megjithatë slloveni ka deklaruar se nuk do të bëjë asnjë modifikim në listën e të grumbulluarve, por do t’u japë mundësinë të gjithëve të tregojnë vlerat e tyre.

“Mungesat e lojtarëve nuk do t’i kompensojmë, por ky është një rast për lojtarët tjerë që ta shfrytëzojnë. Disa prej lojtarëve kanë kërkuar të lirohen dhe kjo në aspektin human është e rëndësishme për karrierën e tyre në klube, kështu që kemi pasur mirëkuptim”, tha slloveni.

Aktualisht Gliha është me statusin e trajnerit të përkohshëm, megjithatë shpresat e tij janë që të konfirmohet në këtë pozicion edhe pas dy ndeshjeve të nëntorit.

“Pyetja se a do të qëndrojë më gjatë është për presidentin, por edhe varet prej dy ndeshjeve. Por, synimi është që ta ndryshojë situatën te Kosova që është shumë e rëndësishme. Dua të bëjë ndryshim në aspektin e mentalitetit të ekipit. Do të provojmë të bëjmë më të mirë, të kemi rezultate të mira të mundshme dhe të marrim fitore. Nëse nuk jemi së bashku për këtë qëllim, atëherë cili është qëllimi i këtij grumbullimi”, deklaroi Gliha.

(Kosova Sot Online)