Milani përballet me betejë ligjore për emrin në Gjermani

  • S.A /
  • 11 November 2021 - 08:51
Milani përballet me betejë ligjore për emrin në Gjermani

AC Milani është duke u përballur me një betejë të pazakontë ligjore në Gjermani, ku klubi nuk mund ta përdorë ligjërisht logon e vet për shkak se mund të ngatërrohet me një kompani vendore.

Klubi italian është duke tentuar ta përdorë ligjërisht këtë logo në të gjitha vendet e botës dhe deri tani nuk është përballur me ndonjë telashe, përveç në Gjermani.

Gjykata e Bashkimit Evropian ia hodhi poshtë një ankesë kuqezinjve në qershor të vitit 2020, e cila konfirmoi se logoja e tyre ishte tejet e ngjashme me logon që përdoret në Gjermani tashmë nga kompania vendore.

Kompania gjermane Milan shet lapsa, kalem dhe gjëra të tjera për studentët.

Beteja mes tyre nisi më 2017, kur AC Milan aplikoi për mbrojtjen e pronës intelektuale në EUIPO.

Aplikacioni i klubit italian u kundërshtua nga kompania gjermane  “InterES Handels-und Dienstleistungs Gesellschaft mbH & Co KG”, e cila argumentoi se brendi i saj MILAN shet gjësende të ngjashme me ato që Milani po përpiqet t’i hedhë në treg.

Kjo kompania e ka përdorur emrin Milan që prej vitit 1984 dhe e ka regjistruar për herë të parë në vitin 1988. 

(Kosova Sot Online )