Strakosha e ka ndarë mendjen, do të largohet falas në qershor të 2022

  • A.P /
  • 13 November 2021 - 14:54
Strakosha e ka ndarë mendjen, do të largohet falas në qershor të 2022

Strakosha nuk dëshiron të qëndrojë më te Lazio. Ai do të jetë i lirë në verën e vitit 2022.

Thomas Strakosha u rikthye titullari te Kombëtarja shqiptare në ndeshjen ndaj Anglisë ku pavarësisht humbjes së thellë 5-0, ai nuk ishte fajtor në asnjë prej golave të shënuar nga tre luanët edhe pse mund të bënte pak më shumë në disa raste.

Te Lazio Strakosha e ka humbur prej kohësh vendin e titullarit dhe duke iu referuar raportimeve të “Tuttomercatoweb”, janë të pakta gjasat që gardiani kuqezi të rinovojë kontratën me Lazion e cila i skadon në vitin 2022.

Edhe pse në postin e drejtorit sportive të Lazios është një shqiptar si Igli Tare, Strakosha e ka ndarë mendjen për t’u larguar në verë nga bardhekaltrit me parametra zero.

Sido që të jetë, Lazio është duke menduar që ta shesë atë në janar, të fitojë sado pak nga largimi i 26-vjeçarit.

Ka zëra nga Anglia se për portierin shqiptar interesohet Newcastle dhe mbetet të shihet nëse do të arrihet një marrëveshje apo do të largohet si lojtar i lirë në verë.

Strakosha ka debutuar me Lazion në vitin 2016 dhe që nga atëherë, ai ka bërë 181 paraqitje.

(Kosova Sot Online)