“Këtë sezon jam këtu” – Mbappe flet për të ardhmen

  • A.P /
  • 14 November 2021 - 16:49
“Këtë sezon jam këtu” – Mbappe flet për të ardhmen

Kylian Mbappe është zotuar se do të mbetet në Paris Saint-Germain të paktën deri në fund të këtij sezoni, pas, siç i quajti ai, pesë viteve të jashtëzakonshme në Parc des Princes.

Mbappe vlerësohet si njëri prej talenteve më të ndritur të gjeneratës së tij, pasi fillimisht bëri emër në Monaco para se të rrëmbehej nga PSG-ja më 2017.

Paraqitjet e 22-vjeçarit kanë rënë në sytë e shumë klubeve të mëdha evropiane dhe të Real Madridit në veçanti, gjigantit spanjoll i cili i bëri tri oferta luksoze për të në verë.

PSG-ja ia hodhi poshtë ofertat Madridit, por Mbappe e pranoi kohë më parë se kishte bërë trysni në klub për t’iu bashkuar gjigantit spanjoll.

Madridi pritet të kthehet për Mbappen në janar, por francezi këmbëngul se nuk do të largohet nga Parisi akoma.

“I kam kaluar pesë vite të jashtëzakonshme këtu, e kam shfrytëzuar çdo çast dhe vazhdoj ta bëj këtë. Jam i lumtur në fushë dhe në jetën time personale”, tha Mbappe.

I pyetur nëse do të jetë në PSG edhe pas sezonit 2021/22, francezi theksoi: “Jam këtu, ende jam këtu, jam këtu këtë sezon”.

Marrëveshja e tanishme e Mbappes me PSG-në mbaron në verë dhe ai mund të largohet si lojtar i lirë në qershor. 


(Kosova Sot Online)