Kane “shfrytëzoi” Shqipërinë dhe San Marinon për t’u ngjitur në listën e golashënuesve

  • A.P /
  • 16 November 2021 - 17:38
Kane “shfrytëzoi” Shqipërinë dhe San Marinon për t’u ngjitur në listën e golashënuesve

Dy ndeshjet përmbyllëse të Anglisë në fushatën eliminatore për Katar 2022 rezultuan si dy seanca stërvitore. Për fat të keq këtu bën pjesë edhe Shqipëria e cila u mposht në Wembley lehtësisht me rezultatin 5-0, ndërsa tre ditë më pas britanikët shpartalluan amatorët e San Marinos me shifrat e thella 0-10.

Ndërkohë, këto dy sfida i shërbyen më së miri statistikave personale të Harry Kane, me sulmuesin që i shënoi tre herë kuqezinjve dhe katër herë San Marinos. Kështu, me shtatë gola të realizuara në dy takime, futbollisti i Tottenham është ngjitur si me “ashensor” në renditjen e golashënuesve më të mirë në historinë e “Tre Luanëve”.

Tashmë, Harry Kane renditet si golashënuesi i tretë më i mirë i Anglisë me 48 gola të shënuar, po aq sa edhe Gary Lineker ndërsa para tij gjenden vetëm Bobby Charlton në shifrën e 49 realizimeve dhe Wayne Rooney me 53 gola të shënuar. Sakaq, 28-vjeçari ka lënë pas në këtë klasifikim Jimmy Greaves (44 gola) dhe Michael Owen (40 gola).

Kështu, duke parë moshën dhe aftësinë sulmuese të Kane duket thjesht çështje kohe para se të marrë kryesimin dhe të kalojë Rooney në vendin e parë të klasifikimit.

(Kosova Sot Online)