Interi gaboi me zgjedhjen e Inzaghit, pa Igli Taren çalon shumë si trajner

  • A.P /
  • 17 November 2021 - 21:55
Interi gaboi me zgjedhjen e Inzaghit, pa Igli Taren çalon shumë si trajner

Drejtuesit e Interit nuk humbën shumë kohë pas dorëheqjes së Antonio Contes në verën që lamë pas, dhe zgjodhën t’i besonin stolin Simone Inzaghit, i cili ishte trajner i Lazios në pesë vitet e fundit.

45-vjeçari italian ka marrë kritika nga një ish-trajner i kampionëve të Italisë, Corrado Orrico. Opinionisti i Sky flet hapur, duke deklaruar se Inzaghit i mungon Igli Tare, drejtori sportiv i Lazios.

Orrico e cilëson ta gabuar zgjedhjen e drejtuesve zikaltër dhe mendimin e tij e lidh me drejtuesin nga Vlora, i cili mbështeste pafund trajnerin Inzaghi gjatë periudhës që ky i fundit drejtonte bardhekaltrit kryeqytetas.

“Interi gaboi që mori Inzaghin si trajner. Ai ndihmohej jashtëzakonisht shumë nga Igli Tare te Lazio. Pa shqiptarin, Inzaghi çalon shumë sepse nuk ka më dikë që i heq gështenjat nga zjarri”, deklaroi 81-vjeçari italian.

Interi renditet përkohësisht në vend të tretë në Serie A pas 12 javëve kampionat, duke numëruar 7 pikë më pak se kryesuesit e Milanit dhe Napolit.

(Kosova Sot Online)