“S’ka klub më të madh se Reali”, Ancelotti tregon sekretin e “La Decima”

  • A.P /
  • 18 November 2021 - 19:02
“S’ka klub më të madh se Reali”, Ancelotti tregon sekretin e “La Decima”

Carlo Ancelotti po shijon eksperiencën e dytë si trajneri i Real Madrid.

Trajneri italian pranoi ofertën e Florentino Perez verën e kaluar, me besimin dhe objektivin për të fituar sa më shumë trofe.

62-vjeçari është rikthyer pas në kohë në prononcimin e fundit. Shtatë vite më parë, Real Madrid fitoi 4-1 finalen e Champions League kundër Atletico Madrid, sukses që solli trofeun e Champions League për herë të dhjetë në pjesën e bardhë të kryeqytetit spanjoll.

Në pankinë ishte Ancelotti, arritje që tifozët e Realit ia vlerësojnë e kujtojnë gjithmonë me kënaqësi. “Real Madrid është klubi më prestigjioz në botë, me më shumë histori dhe me më shumë tifozë. E cilësoj përgjegjësi të madhe të jem trajneri i këtij ekipi.

Reali ka fituar 13 Champions League, si asnjë skuadër tjetër. Suksesi ka ardhur falë vlerave dhe sfidave që e kanë sjellë në këtë nivel të historisë së futbollit.

Kam patur fatin të jem pjesë e këtij klubi vite më parë, teksa po përpiqem ta shijoj në maksimum edhe këtë aventurë”.

Trajneri italian drejtoi “Los Blancos” në periudhën korrik 2013-maj 2015, duke ia dalë të fitojë La Decima në vitin 2014, ndryshe trofeun e dhjetë të Champions League.

“La Decima ishte diçka që e donin të gjithë te Reali, skuadra ishte e motivuar në maksimum për t’ia dalë. Lojtarët e kanë kërkuar dhe dashur atë titull që nga minuta e parë deri tek e fundit.

E dini sekretin e atij suksesi? Ia dolëm falë atmosferës që ishte krijuar, prej lojtarëve dhe të gjithë pjesëtarëve të tjerë të dhomave të zhveshjes.

Të gjithë ishin të motivuar: stafi, mjekët, të gjithë! Ishte krijuar një ambient i jashtëzakonshëm, të gjithë besonim te fitorja e La Decimas-s”, deklaroi Ancelotti.

(Kosova Sot Online)