Trajneri i përkohshëm i Man United: Do ta jap më të mirën, rri sa të jem i nevojshëm

  • S.A /
  • 23 November 2021 - 08:49
Trajneri i përkohshëm i Man United: Do ta jap më të mirën, rri sa të jem i nevojshëm

Michael Carrick ka thënë se do të qëndrojë në postin e trajnerit të përkohshëm të Manchester Unitedit aq gjatë sa të jetë i nevojshëm.

Unitedi e shkarkoi Ole Gunnar Solskjaerin nga posti i trajnerit të dielën në mëngjes, pas humbjes turpëruese 4:1 kundër Watfordit të shtunën.

Unitedi konfirmoi menjëherë se ndihmëstrajneri i Solskjaer, Michael Carrick, do të jetë në krye të ekipit përkohësisht, derisa klubi ta emërojë një trajner të përhershëm.

Carrick thotë se nuk i është thënë se sa gjatë do të jetë në krye të skuadrës.

Përqendrimi i vetëm i tij është ta përgatisë ekipin për ndeshjen jetësore kundër Villarrealit në Ligën e Kampionëve të martën (sot), pasi fitorja do ta dërgojë tutje Unitedin.

“Kanë kaluar vetëm 24 orë që prej së gjithçka ndodhi dhe ndeshja nuk është shumë larg, prandaj ky është përqendrimi im, por mendoj vetëm për ndeshjen”, tha Carrick të hënën në një konferencë për media. “Jam i gatshëm t’i ndihmoj klubit aq sa të jem i nevojshëm. Do ta jap më të mirën. Shpresoj se do të korrim rezultate të mira”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )