Messi i mahnitur me formën e Ronaldos në Man United, flet edhe për rivalitetin me të

  • S.A /
  • 23 November 2021 - 12:05
Messi i mahnitur me formën e Ronaldos në Man United, flet edhe për rivalitetin me të

Lionel Messi ka thënë se Cristiano Ronaldo është përshtatur në mënyrë mahnitëse në Manchester United dhe beson se rivaliteti mes tyre do të mbetet një kujtesë e bukur në historinë e futbollit.

Ronaldo iu ribashkua Manchester Unitedit në verë, pasi u largua nga Juventusit, ndërkohë që Messi tronditi duke iu bashkuar Paris Saint-Germainit pasi u largua nga Barcelona po ashtu në verë,.

Sulmuesi portugez i ka shënuar nëntë gola për Unitedin këtë sezon, por forma e tij mbresëlënëse para portës nuk mundi ta shpëtojë trajnerin Ole Gunnar Solskjaer nga shkarkimi, pasi klubi i humbi gjashtë prej 13 ndeshjeve të fundit në të gjitha garat.

Të gjitha shtatë pikët e Unitedit në fazën grupore në Ligën e Kampionëve u fituan falë golave të vonshëm të Ronaldos.

Messi është mahnitur nga përshtatja e shpejtë e 26-vjeçarit në rrethanat e reja.

“(Manchester) Unitedi është ekip shumë i fortë me lojtarë të mëdhenj. Cristiano e njihte klubin tashmë, por ajo ishte tjetër epokë dhe tani ai është përshtatur në mënyrë mbresëlënëse”, tha Messi.

Messi shtoi: “Që nga fillimi ai ka shënuar gola si gjithmonë dhe nuk e ka telashe të përshtatet. Në Premierligë (Manchester Unitedi) nuk është aq i mirë sa të gjithë ne mendonim, por gara është shumë e vështirë dhe e barabartë në të cilën ka shumë kthesa. Gjërat ndryshojnë shumë pas dhjetorit dhe çdo gjë mund të ndodhë”.

Messi dhe Ronaldo krijuan një rivalitet të paparë nëntëvjeçar gjatë kohës së tyre në La Liga.

I pyetur nga Marca nëse i mungon rivaliteti me portugezin, 34-vjeçri tha: “Ka kaluar shumë kohë që prej se ne nuk garojmë në të njëjtën ligë. Ne garonim kundër njëri-tjetrit dhe me ekipet tona për të njëjtat qëllime. Ishte një kohë shumë e bukur për ne dhe për tifozët, sepse ata e shijuan shumë. Është një kujtim i bukur që do të ngelë në historinë e futbollit.”

(Kosova Sot Online )