Një vit nga vdekja e legjendës Diego Maradona

  • S.A /
  • 25 November 2021 - 09:53
Një vit nga vdekja e legjendës Diego Maradona

Bota do ta shënojë sot njëvjetorin e vdekjes së Diego Maradonës, i cilësuar nga disa si lojtari më i mirë në historinë e futbollit dhe një njeriu i adhuruar nga atdheu i vet, Argjentina. Maradona vdiq në moshën 60-vjeçare nga një sulm në zemër në nëntor të vitit të kaluar, pak javë pasi ishte operuar në tru. Ish-sulmuesi i Boca Juniors, Barcelonës dhe Napolit e kishte luftuar varësinë nga kokaina dhe alkooli për vite të tëra dhe vuante nga çrregullime në mushkëri, veshka dhe zemër kur vdiq.

Vdekja e tij i tronditi tifozët e futbollit në gjithë botë dhe dhjetëra mijëra prej tyre u mblodhën për ta përcjellë atë drejt banesës së fundit. Ai mund të jetë i vdekur, por në Argjentinë Maradona është kudo.

Nga murale të shumta e të ndryshme që e portretizojnë atë si zot e deri te seritë televizive për jetën e tij dhe një religjion që e mban emrin e tij.

Dy golat e tij në çerekfinale të Kupës së Botës 1986, në të cilën Argjentina fitoi nga Anglisë, e bënë Maradonën hero të menjëhershëm.

Për ta shënuar njëvjetorin e vdekjes së tij, klubet e Argjentinës do të mbajnë një minutë heshtje para takimeve të tyre dhe lojtarët do të vendosen në fushë në formë të numrit 10.

Në Napoli, ku ai e kaloi një pjesë të karrierës, do të zbulohen dy statuja për të.

(Kosova Sot Online )