Synimi i vetëm i Ronaldos është te këtë më shumë Topa të Artë se Messi, thotë redaktori i France Football

  • S.A /
  • 29 November 2021 - 09:58
Synimi i vetëm i Ronaldos është te këtë më shumë Topa të Artë se Messi, thotë redaktori i France Football

Synimi i vetëm i Cristiano Ronaldos është të fitojë më shumë Topa të Artë sesa Lionel Messi, ka thënë redaktori i revistës France Football, Pascal Ferre.

Ronaldo, i cili tani po e kalon periudhën e dytë në Manchester United, e ka fituar pesë herë Topin e Artë gjatë një karriere të shquar.Messi, i cili iu bashkua Paris Saint-Germainit në verë, e ka një më shumë se portugezi.

Të dy janë duke garuar për këtë çmim edhe këtë vit dhe Ferre ka thënë se Ronaldo është i nxitur ta kalojë rivalin e vet para se t’i varë këpucët në gozhdë.

Topi i Artë ndahet nga France Football dhe redaktori i saj ka theksuar se Ronaldo i kishte thënë atij se ky çmim individual ka domethënie më të madhe për të se trofetë ekiporë në këtë kohë.

“Ronaldo e ka vetëm një synim dhe ai është të pensionohet me më shumë Topa të Artë sesa Messi”, tha Ferre për New York Times.

“E di sepse ai më ka treguar mua”, shtoi ai.

A do ta mposhtë Ronaldo Messin këtë vit?

Ronaldo shihet si autsajder për Topin e Artë 2021, edhe pse i ka shënuar 36 gola sezonin e kaluar duke i ndihmuar Juventusit ta fitojë Kupën e Italisë.

Megjithatë, Messi dhe Robert Lewandowski mbeten favoritët kryesorë për çmimin e sivjetshëm. 

(Kosova Sot Online )