Nagelsmann: Lewandowski do ketë shanse të fitojë Topin e Artë

  • A.P /
  • 03 December 2021 - 18:13
Nagelsmann: Lewandowski do ketë shanse të fitojë Topin e Artë

Bayern Munchen luan nesër ndeshjen e radhës në Bundesliga. Kampionët e Gjermanisë do të përballen në “Signal Iduna Park” ndaj Borussia Dortmund (e shtunë, 18:30), që cilësohet edhe supersfida e kampionatit gjerman.

Bavarezët kryesojnë me 31 pikë, ndërsa verdhezinjtë renditen në vend të dytë me një pikë më pak. Julian Nagelsmann konfirmon mungesën e Joshua Kimmich në konferencën për shtypin, teksa shpreson të rikuperojë Leon Goretzka në limite.

Trajneri i Bayern Munchen ndalet te Robert Lewandowski në prononcimin për mediat, duke karikuar e motivuar sulmuesin polak, i cili nuk ia doli të mposhtë Leo Messin në garën për fitimin e “Topit të Artë” 2021.

“Robert nuk duket i acaruar pse nuk fitoi Topin e Artë, edhe pse mendoj se të dhemb pak. Në sytë e mi do ta kishte merituar fitimin e çmimit prestigjioz, por ai është profesionist ekzemplar.

Unë mendoj se ai do të marrë energji të reja nga kjo që ndodhi dhe do të vazhdojë të shënojë shumë gola. Robert do të ketë shanse të fitojë sërish në të ardhmen Topin e Artë.

Nga një aspekt, unë theksoj se është shumë e rëndësishme ta shndërrojmë këtë zhgënjim në energji pozitive”, deklaroi trajneri i rekordmenëve të futbollit gjerman.

(Kosova Sot Online)