Paqarada shpreson të rikthehet në Kombëtaren e Kosovës

  • S.A /
  • 08 December 2021 - 13:11
Paqarada shpreson të rikthehet në Kombëtaren e Kosovës

Leart Paqarada nuk ka luajtur qe një kohë në Kombëtaren e Kosovës. Mbrojtësi i majtë kishte vendosur vetë të qëndrojnë larg “Dardanëve” derisa në krye të tyre do të ishte trajneri Bernard Challandes. Tash, zvicerani u largua nga Verdhekaltrit dhe Kosova është në kërkim të trajnerit të ri. Dhe, 27 vjeçari tash thotë se është i gatshëm të rikthehet në Kombëtare.

“Nën drejtimin e trajnerit të ri, kishim ardhur në përfundim që nuk kishte më sens të isha pjesë e ekipit në atë mënyrë. Trajneri nuk është më. Dhe, tash do të shikojmë përpara”, deklaroi Paqarada për mediumin gjerman “Bild”. Ai zbulon se e ka vuajtur shumë mungesën në ekipin kombëtar të Kosovës. “Të luash për vendin tënd është diçka mjaft speciale. Kam qenë gjithmonë atje në vitet e fundit, i ulur para televizorit me një dhimbje në zemër”, shtoi Paqarada, i cili ishte jashtë ekipit kohëve të fundit. Atë nuk e inkuadronte në lojë si titullar trajneri Challandes, prandaj edhe kishte vendosur të mos luante më nën drejtimin e zviceranit. Paqarada nuk u ftua për ndeshjet e nëntorit, por shpreson që nga viti tjetër t’i vijë ftesa nga Kosova.Gjithashtu, një tjetër synim i Paqaradës është që sezonin tjetër të luajë në Bundesligë me St Paulin. Ai i ka zhvilluar 43 ndeshje radhazi me ekipin gjerman dhe për këtë ndihet i lumtur. “Ndihem mjaft mirë. Trupi po e bën këtë pa problem. Edhe gjunjët dhe ijët po shkojnë mjaft mirë”, përfundoi Paqarada. 

(Kosova Sot Online )