Xavi: Të rinjtë s’mund të jenë shtylla e Barcelonës

  • S.A /
  • 13 December 2021 - 09:29
Xavi: Të rinjtë s’mund të jenë shtylla e Barcelonës

Trajneri i Barcelonës, Xavi ka thënë se lojtarët e tij të rinj nuk mund të jenë shtylla mbështetëse e rikthimit të klubit në binarë, pasi e lejuan një gol të vonshëm në barazimin 2:2 me Osasunan të dielën.

Telashet e mëdha financiare e kanë detyruar Barçën të luajë me lojtarë të rinj këtë sezon dhe ishin dy adoleshentët Nicolas Gonzalez dhe Abdessamad Ezzalzoul – që i dhanë një epërsi 2:1 katalonasve në Estadio El Sadar.

Megjithatë, goli i barazimit i Ezeuqiel Avila në minutën e 86-të ia mohoi tri pikët e plota skuadrës së Xavit, i cili thotë se nuk mund të presë shumë nga ndryshimet e reja.

I pyetur për ndikimin e lojtarëve të rinj, Xavi tha: “Është ndikim pozitiv, por edhe negativ”.

“Lojtarët të cilët po e bëjnë dallimin në Barcelonë tani për tani janë 17, 18 dhe 19 vjeç. Është pozitive për të ardhmen e klubit. Abde pati ndeshje spektakolare, po ashtu Gavi dhe Nico, por ata nuk mund të jenë shtylla e ekipit”, shpjegoi Xavi.

Barça është në vendin e tetë në La Liga me 24 pikë, plot 18 pikë larg liderit dhe rivalit Real Madrid, si dhe pesë pikë larg top katërshes.

(Kosova Sot Online )