Simeone pas humbjes kundër Realit: Ishim të lodhur nga ndeshja në Ligën e Kampionëve

  • S.A /
  • 13 December 2021 - 10:57
Simeone pas humbjes kundër Realit: Ishim të lodhur nga ndeshja në Ligën e Kampionëve

Real Madrid zhvilloi një ndeshje shumë të mirë mbrëmjen e kaluar dhe fitoi 2:0 derbin me Atletico Madrid falë dy golave shumë të bukur të Karim Benzema dhe Marco Asensio, me brazilianin Vinicius Junior autor i dy asisteve.

Ekipi i Carlo Ancelottit po kalon një formë të shkëlqyer dhe e ka dërguar në +8 distancën me Sevillan e vendit të dytë (ekipi i Lopeteguit ka luajtur një takim më pak).

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone u tregua i sinqertë në prononcimin pas ndeshjes, duke uruar Realin për fitoren. Argjentinasi e gjeti shkakun e paraqitjes së dobët të djemve të tij te lodhja prej duelit ndaj Portos në mesjavë në Champions League.

“Në futboll forma është aspekti më i rëndësishëm. Reali po kalon një moment fantastik, ata shënuan dhe ndryshuan komplet ndeshjen. Ne ia dolëm të krijojmë ndonjë rast në minutat e para të pjesës së dytë, por ata realizuan një gol të shkëlqyer”, tha Simeone.

“Ne vijmë nga një konsum i madh mental, ndeshja e Champions në Portugali pati ndikimin e vet. Reali po qarkullonte topin, por nuk po krijonte raste. Më pas shënoi Benzema dhe ndeshja mori një tjetër rrjedhë.”

“Djemtë e mi dhanë gjithçka, po punojnë mirë dhe kampionati është i gjatë. Sot kemi një diferencë të madhe me kreun (13 pikë), duhet të fokusohemi tek ekipet që kemi afër në renditje”, përfundoi trajneri i kampionëve në fuqi.

(Kosova Sot Online )