Feronikeli nuk e shënon asnjë gol në 900 minuta lojë!

  • S.A /
  • 14 December 2021 - 14:28
Feronikeli nuk e shënon asnjë gol në 900 minuta lojë!

Deri para pak vitesh ishte bërë klubi më i fortë në Kosovë duke fituar edhe trofe e duke dalë edhe në Evropë. Por, tani Feronikeli e ka marrë tatëpjetën e madhe.

Skuadra nga Drenasi e ka mbyllur stinorin vjeshtor në vendin e fundit të Superligës me vetëm 11 pikë të tubuara prej 18 ndeshjeve të zhvilluara, duke i regjistruar 13 humbje, 2 barazime dhe vetëm tri fitore.

Sidomos në dhjetë xhirot e fundit “Nikli” ka regjistruar rezultate dhe statistika të “tmerrshme”.

Në dhjetë ndeshjet e fundit skuadra gjelbër e bardh i ka regjistruar plotë nëntë humbje krahas një barazimi të vetëm.

Përpos që nuk shënoi fitore dhjetë javë, Feronikeli e ka përjetuar edhe një tjetër fakt shokues, shkruan Gazeta Express. Ish kampioni i Kosovës gjatë 900 minutave lojë në dhjetë ndeshjet e fundit nuk ia ka dal ta shënojë as edhe një gol të vetëm.

Në tërësi, prej 18 ndeshjeve të zhvilluara Feronikeli nuk ka shënuar gol në 14 lojë. Gjatë sezonit vjeshtor kjo skuadër ka arritur t’i shënojë vetëm pesë gola. Ndërsa, rrjeta e saj nga skuadrat tjera të Superligës është tundur 24 herë.

Përpos kësaj, klubi ballafaqohet edhe me krizë financiare, e cila konsiderohet si faktor kryesor në rënien e madhe.

Vlen të kujtohet se edhe në edicionin e kaluar Feronikeli mezi e kishte siguruar mbijetesën në Superligë.

Sezonin pranveror do ta nis nga pozita e fundit me vetëm 11 pikë, shtatë më pak sesa Ulpiana e Dukagjini dhe është tetë pikë larg Malishevës. 

(Kosova Sot Online )