Ancelotti vendos një rekord me Realin

  • A.P /
  • 16 December 2021 - 17:19
Ancelotti vendos një rekord me Realin

Real Madrid i këtij edicioni po i bën gjërat siç duhet duke qenë dominues absolut në La Liga, teksa ka arritur që të marrë 13 fitore 3 barazime dhe vetëm një humbje duke ruajtur një diferencë prej 9 pikësh me vendin e dytë që mbahet nga Sevilla, ndërsa hendeku është i frikshëm me rivalët e Barcelonës.

Në Champions “galaktikët” po ashtu ia dolën që të dalin në vendin e parë në grup D, me 5 fitore.

Në Spanjë kanë nisur llogaritë dhe krahasuar me sezonet e fundit, Ancelotti ka statistikat më të mira, duke kujtuar edicionin 2011-2012 të Mourinhos, i cili arriti që të marrë titullin me 100 pikë dhe me 128 gola të shënuar, megjithatë trajneri italian kërkon që skuadra të qëndrojë me këmbë në tokë pasi në sezonin 2014-2015 ekipi kishte të njëjtën sasi pikësh në këtë fazë të kampionatit, por paraqitjet e bëra në gjysmën e dytë të sezonit i zhgënjyen të gjithë.

Vetë trajneri e ka pranuar se ai edicion i ka shërbyer për të mësuar e për të shmangur vështirësitë e fazës së dytë që është më e rëndësishmja për fatin e sezonit.

Me 42 pikë në La Liga, “Los Blancos” kanë marrë më shumë pikë se dy edicione më parë kur u shpallën kampion, teksa kanë koleksionuar 12 më shumë se edicionin 2018-2019.

Galaktikët kanë marrë 10 fitore radhazi në të gjitha garat, duke i bërë të gjithë të ëndërrojnë në Madrid. Për Ancelottin gjërat po shkojnë mirë, pasi po arrin që të jetë trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit. Me 107 fitore në 142 ndeshje, italiani ka pasur sukses në 75.35% të ndeshjeve që ka drejtuar Realin, duke kaluar rekordin e Manuel Pellegrinit 75% e ndeshjeve të fituara në 09-10.

Mourinho është i vetmi trajner tjetër i Madridit që ka thyer barrierën e fitores prej 70%. Zinedine Zidane me vështirësi kalon 65%, gjë që nuk e pengon atë të gëzojë një pozicion të privilegjuar si trajneri i dytë me më shumë tituj në historinë e Madridit, vetëm pas legjendarit Miguel Muñoz.

(Kosova Sot Online)